Partitë e ekstremit të djathtë po renditen ndër zgjedhjet më të preferuara të votuesve që do të marrin pjesë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të Izraelit, të planifikuara për 27 tetor.
Këtë e tregon një sondazh i publikuar të premten nga media izraelite Ynet, i cili pasqyron prirjet politike të brezit të ri.
Sondazhi, i zhvilluar me një kampion prej 543 votuesish të moshës 18 deri në 22 vjeç, tregon se partia Otzma Yehudit (Fuqia Hebraike), e drejtuar nga ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, do të merrte 8.88 për qind të votave, ndërsa aleanca e Sionizmit Fetar, e drejtuar nga ministri i Financave Bezalel Smotrich, do të siguronte 8.09 për qind.
Së bashku, të dyja forcat do të merrnin 29 vende në Knesset, parlamentin izraelit. Mbështetja e tyre do të ishte më e lartë se ajo e Likud të kryeministrit Benjamin Netanyahu, që në këtë grup votuesish do të merrte 7.95 për qind.
Partia e ish-kryeministrit Naftali Bennett dhe ajo e Gadi Eisenkotit, një tjetër sfidues i Netanyahut, regjistrojnë gjithashtu mbështetje të konsiderueshme.
Rritja është e dukshme krahasuar me zgjedhjet e vitit 2020, kur Otzma Yehudit mori vetëm 0.42 për qind të votave dhe nuk arriti të kalonte pragun elektoral.
Sipas sondazhit, së bashku me aleancën e Smotrichit dhe partinë e re Amcha Yisrael, të drejtuar nga ish-gjenerali Ofer Winter, forcat e ekstremit të djathtë mund të marrin mbi 19 për qind të mbështetjes së votuesve për herë të parë.
Por partia e Winter, mbetet nën pragun elektoral. Rreth 500 mijë votues të rinj pritet të kenë të drejtë vote në zgjedhjet e 27 tetorit. Sondazhi tregon gjithashtu se 54 për qind e votuesve hebrenj që votojnë për herë të parë mbështesin politikat e qeverisë në largim.
Kolonitë dhe dënimi me vdekje, pjesë e joshjes së ekstremit të djathtë
Intervistat e Ynet me të rinjtë, tregojnë se mbështetja për këto parti lidhet veçanërisht me qëndrimet ndaj vendbanimeve hebraike, të burgosurve palestinezë dhe zgjerimit territorial.
Një i ri që jeton në një vendbanim në Bregun Perëndimor të pushtuar, e vlerësoi Smotrich për krijimin e fermave dhe vendbanimeve të reja .
Ai shprehu pakënaqësi që Izraeli nuk ka ngritur ende vendbanime në Rripin e Gazës pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023. Sipas tij, territori mes lumit Jordan dhe Detit Mesdhe është trashëgimi biblike dhe tokë që i përket historikisht popullit hebre.
Një tjetër votues tha se po shqyrton mundësinë për të votuar Ben Gvir, duke vlerësuar ashpërsimin e kushteve të burgimit për palestinezët dhe mbështetjen e dënimit me vdekje.
Organizatat e të drejtave të njeriut kanë denoncuar kushtet çnjerëzore në burgjet izraelite, ku gjatë tre viteve të fundit kanë vdekur dhjetëra të burgosur palestinezë.
Ligji i mbështetur nga Ben Gvir parashikon dënimin me vdekje për palestinezët e dënuar për sulme vdekjeprurëse. Megjithatë, një votues që anon nga aleanca Demokratët Sionistë kritikoi dhunën e paprecedentë dhe mungesën e një zgjidhjeje politike afatgjatë.
Ai paralajmëroi se lufta në Gaza dhe dhuna e zhvendosjet në Bregun Perëndimor po e dëmtojnë legjitimitetin ndërkombëtar të Izraelit.


