Dogana sekuestron 135 kilogramë duhan dhe 30 litra alkool në Çair

Drejtoria e Doganave po kryen kontrolle të shtuara edhe në tregjet e gjelbra, me një qasje gjithëpërfshirëse për luftimin e tregtisë së paligjshme me duhanin, njoftojnë nga ky institucion.

“Zyrtarët doganorë nga Drejtoria Doganore e Shkupit dhe ekipet mobile të Sektorit për Punë Operative kryen kontroll në tezgat e tregut të gjelbër në Çair, me ç’rast u sekuestruan 135 kilogramë duhan të prerë dhe 30 litra alkool, për të cilat ishte shmangur pagesa e akcizës në vlerë prej 337.558 denarësh.

Gjatë kontrollit të produkteve akcizore në tezgat e tregut të gjelbër në Çair, tre persona u kapën duke shitur produkte akcizore pa pulla akcizore. Ata i kishin nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme produktet akcizore në shitje, pa e paguar paraprakisht akcizën ndaj shtetit.

Kundër dy personave janë ngritur kallëzime për kundërvajtje, ndërsa kundër një personi, i cili shiste produkte akcizore për të cilat ishte shmangur pagesa e akcizës në vlerë prej 257 mijë denarësh, do të ngrihet kallëzim penal në përputhje me Kodin Penal.

Me një qasje gjithëpërfshirëse, përmes hetimeve të shtuara për importin e duhanit dhe produkteve të duhanit, si dhe kontrolleve në tregun e brendshëm, po i dëshmojmë qartë përpjekjet tona për të luftuar tregtinë e paligjshme me duhanin dhe produktet e tij”, njoftoi Drejtoria e Doganave.