Deputeti i VMRO-DPMNE-së paralajmëron trazira në Serbi pas zgjedhjeve: “Sonte fillojnë”

Igor Zdravkovski, deputet i VMRO-DPMNE-së, ka parashikuar në rrjetin social X se sonte në Serbi mund të shpërthejnë trazira.

Ai thotë se nuk i intereson se kush do t’i fitojë zgjedhjet, por ka një parashikim për rezultatin dhe zhvillimet pas përfundimit të votimit.

“Gjithë ditën po lexoj për Serbinë, me shumë emocione. Unë që në fillim po them se nuk më intereson kush do të fitojë dhe as që më bëhet vonë. Mendimi im personal është se Vuçiqi do të humbasë në Beograd dhe Novi Sad, ndërsa në vendet e tjera do të fitojë me mbi 70 për qind të votave. Sonte fillojnë trazirat për shkak të pakënaqësisë së sponsorëve nga Perëndimi”, ka shkruar Zdravkovski.

Sipas vlerësimeve të Ipsos dhe CeSID, deri në orën 17:00 në Serbi kishin votuar 60,8 për qind e zgjedhësve.

Më herët, Komisioni Republikan i Zgjedhjeve njoftoi se deri në orën 16:00 pjesëmarrja në votime kishte arritur në 56,38 për qind.

Ndërkohë, në qendër të Beogradit janë vendosur barriera, ndërsa vërehet prani e shtuar e policisë.