Çmimet e benzinës shqetësojnë amerikanët, Trump: Janë një çmim i vogël për sigurinë e vendit dhe botës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka cilësuar çmimet e larta të benzinës që paguajnë amerikanët si një “çmim të vogël për të paguar për të mbajtur botën dhe vendin tonë të sigurt”.

Trump u rikthye te çështja e çmimeve të karburanteve gjatë një mitingu elektoral në Grand Island, Nebraska, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e mesmandatit që do të zhvillohen më 3 nëntor.

Gjatë fjalimit, Trump deklaroi se çmimi i naftës është aktualisht më i ulët se gjatë administratës së paraardhësit të tij, Joe Biden. Megjithatë, kjo deklaratë është raportuar si e pasaktë.

Presidenti amerikan parashikoi gjithashtu se çmimi i benzinës në SHBA do të bjerë në më pak se 1.85 dollarë për gallon, ose rreth 3.8 litra, “brenda një periudhe shumë të shkurtër”.

Sipas Trump, kjo ulje mund të ndodhë përpara zgjedhjeve të mesmandatit ose menjëherë pas tyre. Në fjalimin e tij, presidenti amerikan përsëriti edhe qëndrimin e administratës së tij ndaj Iranit, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë Teheranin të pajiset me armë bërthamore.

Trump e lidhi çmimin më të lartë të karburanteve me çështjen e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare, duke e paraqitur atë si një kosto të nevojshme për garantimin e sigurisë.

Çmimet e benzinës janë kthyer në një çështje të ndjeshme për administratën amerikane, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të mesmandatit të nëntorit.