Çairi formon Këshillin Komunal për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve

Në Komunën e Çairit është formuar Këshilli Komunal për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve, ndërsa njëkohësisht u mbajt edhe mbledhja e parë e këtij trupi, me çka nis një qasje e koordinuar ndërinstitucionale në drejtim të parandalimit të delikuencës dhe mbrojtjes së fëmijëve.

Këshilli përbëhet nga 11 anëtarë, përfaqësues të Komunës së Çairit, Këshillit të Komunës, Prokurorisë Publike, policisë, Qendrës për Punë Sociale, Ministrisë së Politikës Sociale, këshillave të prindërve të shkollave fillore dhe të mesme, Odës së Avokatëve, shoqatave dhe fondacioneve që veprojnë në fushën e mbrojtjes dhe të drejtave të fëmijëve, si dhe gjykatës për fëmijë.

Në mbledhjen e parë u diskutua për rolin dhe mënyrën e funksionimit të Këshillit, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe për hapat konkretë që do të ndërmerren në drejtim të parandalimit, identifikimit dhe trajtimit në kohë të dukurive që mund të rrezikojnë sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve.

Formimi i këtij Këshilli është pjesë e aktiviteteve që Komuna e Çairit ka iniciuar në kuadër të temës “Dhuna mes bashkëmoshatarëve”. Aktivitetet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me fokus të veçantë në parandalimin, ndërgjegjësimin, bashkëpunimin mes institucioneve dhe krijimin e një mjedisi sa më të sigurt për fëmijët.