Bozhinovska në Vjenë: Prioritetet energjetike, partneritete të reja dhe forcimi i bashkëpunimit evropian

Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para, Sanja Bozhinovska, nga sot qëndron në Vjenë, ku me ftesë të veçantë të Akademisë Diplomatike të Vjenës merr pjesë në programin “Gratë lidere – Evropa Juglindore dhe Deti i Zi/Kaukazi Jugor 2026”.

Përmes vizitës në Vjenë, Ministria e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para (MEMLP) i prezanton prioritetet energjetike të vendit para institucioneve përkatëse evropiane, përfaqësuesve të sektorit publik, diplomatëve dhe vendimmarrësve të ardhshëm, me qëllim hapjen e mundësive të reja për bashkëpunim, shkëmbim të përvojave dhe avancimin e partneriteteve në sektorin e energjetikës.

“Programi ‘Gratë lidere 2026’, i organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës, i kushtohet fuqizimit të lidershipit të grave dhe sfidave bashkëkohore në sektorin publik. Pjesëmarrja e ministres Bozhinovska mundëson shkëmbimin e përvojave dhe hapjen e çështjeve me rëndësi për të ardhmen e rajonit dhe Evropës, përfshirë lidershipin, menaxhimin e krizave, barazinë gjinore dhe diplomacinë digjitale”, bëjnë të ditur nga MEMLP.

Ata theksojnë se bashkëpunimi energjetik ndërmjet Maqedonisë dhe Austrisë është një nga segmentet kryesore të vizitës. Ministrja, siç thonë, do të zhvillojë një takim pune me Severin Gruber, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë Federale të Ekonomisë, Energjisë dhe Turizmit të Austrisë. Në fokus do të jenë bashkëpunimi dypalësh dhe ekonomik, tranzicioni energjetik, siguria energjetike, si dhe mundësitë për vendosjen dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Theksojnë se, në kushtet e realitetit të ri energjetik dhe gjeopolitik në Evropë, rëndësi të veçantë ka ndërlidhja energjetike rajonale. Në këtë kontekst, shtojnë se një rol të rëndësishëm kanë korridoret e reja energjetike, përfshirë Korridorin vertikal të gazit, të cilat kontribuojnë në rritjen e sigurisë dhe diversifikimin e furnizimit.