Partitë nacionaliste mbeten forca dominuese në Bosnje dhe Hercegovinë edhe pas zgjedhjeve të djeshme të përgjithshme, të cilat pritet të sjellin ndryshime të kufizuara politike. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte në nivel rekord të ulët, me vetëm 41.5 për qind të votuesve që ushtruan të drejtën e tyre.
Boshnjaku Denis Beqiroviq dhe serbja Zheljka Cvijanoviq u zgjodhën sërish në Presidencën treanëtarëshe të Bosnje dhe Hercegovinës. I vetmi emër i ri në këtë organ është përfaqësuesja kroate Darijana Filipoviq.
Socialdemokrati Beqiroviq fitoi garën për postin e përfaqësuesit boshnjak me 38.1 për qind të votave, ndërsa Cvijanoviq, bashkëpunëtore e afërt e Milorad Dodikut, fitoi bindshëm me 55.6 për qind të votave. Sipas ligjit zgjedhor, përfaqësuesi serb zgjidhet në Republikën Srpska, ndërsa dy anëtarët e tjerë zgjidhen në bazë të votave të marra në të gjithë territorin e vendit.
Me zgjedhjen e Filipoviqit, nga radhët e Bashkësisë Demokratike Kroate (HDZ), nacionalistët kroatë rikthehen në organin më të lartë shtetëror të vendit. Paraardhësi i saj, Zheljko Komshiq, socialdemokrat dhe jo-nacionalist, nuk kandidoi për një mandat të ri. Filipoviq fitoi vendin e rezervuar për përfaqësuesin kroat me 48.2 për qind të votave.
Në pjesën e vendit të drejtuar nga serbët, SNSD-ja e Milorad Dodikut konsolidoi më tej pushtetin e saj. Kandidati i saj, Savo Miniq, fitoi qartë zgjedhjet presidenciale, ndërsa SNSD-ja mbetet forca kryesore në parlamentin e Republikës Srpska, me 39 për qind të votave.
Dodik ia atribuoi suksesin e madh të SNSD-së, siç u shpreh ai, “fitores madhështore” të Donald Trumpit në vitin 2024 dhe mbështetjes së presidentit rus Vladimir Putin.
Dodik, i cili për vite me radhë ka qenë president i Republikës Srpska, u shkarkua nga detyra vitin e kaluar nga gjykata në Sarajevë, për shkak të aktiviteteve separatiste. Si lider i SNSD-së, ai vazhdon të angazhohet për shkëputjen e këtij entiteti nga Bosnje dhe Hercegovina.


