BE-ja thotë se është e gatshme për bisedime paqeje me Rusinë, pret gatishmërinë e Moskës

Bashkimi Evropian është i gatshëm të angazhohet në negociata paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe prej kohësh është duke u përgatitur për një mundësi të tillë, deklaroi të premten një zëdhënëse e bllokut evropian, raporton Anadolu.

“Jemi të përgatitur dhe prej kohësh jemi duke u përgatitur, ndërsa presim vetëm momentin kur Rusia do të jetë vërtet e gatshme të angazhohet në diskutime serioze dhe në kushte konkrete për t’i dhënë fund kësaj lufte”, u tha gazetarëve në Bruksel zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho.

Deklarata erdhi në përgjigje të një pyetjeje nëse Komisioni Evropian po përgatitet për një fazë të mundshme të ardhshme të negociatave dhe nëse është i gatshëm të dërgojë përfaqësues për të marrë pjesë në bisedimet për përfundimin e luftës, e cila filloi në shkurt të vitit 2022.

Deklarata e saj vjen pas telefonatave të fundit mes liderëve të Finlandës dhe Norvegjisë dhe presidentit rus Vladimir Putin, të cilat kanë rikthyer vëmendjen te përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.