Bashkimi Evropian mbrëmë shprehu keqardhje për shkak të ratifikimit të të ashtuquajturit Memorandum mirëkuptimi mes Libisë dhe Turqisë për demarkacionin e juridiksioneve detare në Detin Mesdhe nga ana e parlametit të Libisë.
“Rikujtojmë se qëndrimi i BE-së për këtë çështje u shpreh qartë nga Këshilli Evropian në vitin 2019 dhe se ai mbetet i pandryshuar. Kjo marrëveshje cenon të drejtat sovrane të shteteve të treta, nuk është në përputhje me të drejtën e detit dhe është juridikisht e pavlefshme”, thuhet në deklaratën e përbashkët të kryetarit të Këshillit Evropian, Antonio Koshta, dhe kryetares së Komisionit Evropian, Ursulla fon der Lajen.
Ata përsëri theksuan solidaritetin e BE-së me Greqinë dhe Qipron. “Përsëri theksojmë qëndrimin e njohur të BE-së kundër çdo ndërhyrjeje të jashtme në Libi”, thuhet në njoftim.
Dhoma e Përfaqësuesve e parlamentit të Libisë në Bengazi dje më herët e miratoi njëzëri marrëveshjen për demarkacionin detar me Turqinë, duke e ndryshuar vendimin e mëparshëm për refuzimin e marrëveshjes dhe ndërprerjen e marrëdhënieve politike me Ankaranë.
Greqia më pas njoftoi se ky vendim nuk e ndryshon karakterin e paligjshëm, të pavlefshëm dhe të pabazuar juridikisht të memorandumit, i cili është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare të detit dhe rrezikon të drejtat sovrane të shteteve në rajon. Ministria e Punëve të Jashtme e Qipros gjithashtu njoftoi se vazhdon ta konsiderojë “memorandumin” të paligjshëm, të pavlefshëm dhe të pazabtueshëm, i cili në asnjë mënyrë nuk prodhon efekte juridike.


