Bashkimi Demokratik për Integrim ka akuzuar Qeverinë për bllokimin e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut, duke reaguar ndaj paralajmërimeve që, sipas kësaj partie, Komisioni Evropian do të përgatisë udhërrëfyes për anëtarësim për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, ndërsa vendi nuk është përfshirë në këtë listë.
Nga BDI vlerësojnë se mospërfshirja e Maqedonisë së Veriut është pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të Qeverisë, të cilën e akuzojnë se gjatë dy viteve nuk ka ofruar zgjidhje për zhbllokimin e procesit dhe nuk ka hapur asnjë kapitull negociues.
“Dikur ishim të parët në rajon. Sot të gjithë ecën përpara, ndërsa ne mbetemi në vend”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas partisë opozitare, ndërsa vendet e përfshira do të kenë plane dhe afate për avancimin drejt anëtarësimit, Maqedonia e Veriut rrezikon të mbetet edhe më prapa. BDI pretendon se ky zhvillim do të ndikojë edhe në mundësitë e vendit për qasje në fondet dhe tregun evropian.
Në reagim kërkohet që Qeveria të japë shpjegime për arsyet e mospërfshirjes, të prezantojë një plan për tejkalimin e bllokimit dhe të sqarojë pasojat që kjo gjendje mund të ketë për qytetarët dhe ekonominë.
“Qeveria duhet t’u tregojë qytetarëve: pse mbetëm jashtë, cili është plani dhe sa do t’i kushtojë vendit ky bllokim?”, theksojnë nga BDI.
Partia e ngarkon Qeverinë me përgjegjësi politike për ngecjen, duke vlerësuar se ajo mori drejtimin e një shteti me proces të hapur evropian, por po e lë pa afate dhe pa një rrugë të qartë drejt anëtarësimit.
“Evropa po ecën përpara. Shqipëria, Mali i Zi po ecin përpara. Vetëm Maqedonia e Veriut po mbahet peng nga kjo Qeveri”, përfundon reagimi i BDI-së.


