ASK zbulon rrjetin që shpërndante material raciste dhe ksenofobike

Agjencia e Sigurisë Kombëtare njofton se në Maqedoninë e Veriut është zbuluar një rrjet portalesh që dyshohet se ka përhapur propagandë në funksion të interesave ruse, duke shpërndarë lajme të rreme dhe dezinformata dhe duke ndikuar në narrativat për zhvillimet aktuale.

Sipas ASK-së, më 18 shtator, në një aksion të koordinuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë Publike, janë ndërmarrë veprime hetimore ndaj një shtetasi të Maqedonisë së Veriut, i cili dyshohet se ka qenë i lidhur me faktorë të huaj që qëndrojnë pas një aparati propagandistik me rrjet portalesh të integruara edhe në hapësirën mediatike të vendit.

AGJENCIA E SIGURISË KOMBËTAR

“Për shkak të dyshimeve për kryerjen e disa veprave penale, mes tyre shkaktim të urrejtjes, përçarjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare, zbulim të sekretit zyrtar dhe përhapje të materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik, është kryer bastisje në shtëpinë e personit të dyshuar. Gjatë kontrollit janë sekuestruar sende që aktualisht janë duke iu nënshtruar ekspertizës”.

ASK thekson se aktorët që qëndrojnë pas këtij rrjeti, i cili sipas Agjencisë vepron në funksion të interesave ruse, fshihen pas pseudo-portaleve të klonuara dhe të regjistruara me domen të Maqedonisë së Veriut.

AGJENCIA E SIGURISË KOMBËTAR

“Përmes këtyre pseudo-portaleve përhapen lajme të rreme, dezinformata dhe riformësohen narrativat për ngjarjet aktuale, me çka minohet besimi në institucione dhe nxitet urrejtja dhe intoleranca etnike dhe kombëtare”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Agjencia paralajmëron se do të vazhdojë me aktivitetet për zbulimin dhe parandalimin e veprimtarive subversive dhe propagandistike përmes rrjeteve të portaleve të lidhura, sipas saj, me struktura politike rajonale proruse. ASK vlerëson se këto aktivitete synojnë edhe minimin e proceseve strategjike eurointegruese të Maqedonisë së Veriut.