As me dëshmitarët e saj prokuroria nuk gjenë dot “fajin” për Artan Grubin!

Në seancën e djeshme në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, dy prokurorët e Prokurorisë Themelore Publike Shkup, Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçeski, morën në pyetje dëshmitarin e dytë të tyre, por pa arritur të nxjerrin përfitime të dukshme për aktakuzën e ngritur kundër ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ish-drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Perparim Bajrami, ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë në kohën e LSDM-së, Metodija Dimovski, si dhe pesë të akuzuarve të tjerë, anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Lotarisë, shkruan SDK, përcjellë Top24

Dëshmitari, i cili është i punësuar në Lotarinë Shtetërore, gjatë gjithë ditës shpjegoi procedurën e prokurimeve publike në këtë ndërmarrje shtetërore. Nga deklarata e tij nuk u kuptua se ku kishin gabuar të akuzuarit. Të kënaqur me dëshminë e tij, ata hoqën dorë nga parashtrimi i pyetjeve të drejtpërdrejta, duke mos e parë të nevojshme ta merrnin më tej në pyetje dëshmitarin.

Prokurorët nuk parashtruan pyetje thelbësore dhe aq më pak dhanë shpjegime se për cilat rrethana konkrete parashtrohej secila pyetje dhe me cilën provë lidhej ajo, siç kërkohet nga Ligji për Procedurën Penale.

Në seancën e kaluar, më 5 tetor, u dëgjua dëshmitari i parë dhe kryesor i Prokurorisë, kur ndodhi një zhvillim i papritur, qoftë i rastësishëm apo i qëllimshëm.

Dëshmitari i parë i Prokurorisë në këtë rast ndryshoi deklaratën në favor të të akuzuarve. Dy prokurorët nuk arritën t’ia lexonin deklaratën e dhënë gjatë hetimeve dhe ta ballafaqonin me atë që po thoshte në gjykatë, pasi ndërkohë atij i ishte ndryshuar statusi procedural. Para se të bëhej dëshmitar kryesor në gjykim, gjatë hetimeve në Prokurori ai kishte qenë i dyshuar.

Ndryshe nga deklarata e dhënë në cilësinë e të dyshuarit gjatë hetimeve, në gjykatë ai tha se nuk e njihte Artan Grubin, se nuk e kishte parë Perparim Bajramin në takime me Grubin dhe se nuk kishte deklaruar që drejtori Bajrami ishte nën ndikimin e fortë të ish-zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi, dhe se për çdo gjë konsultohej me të.

Kështu, dy prokurorët e cilësuan dëshmitarin kryesor si të ashtuquajtur dëshmitar armiqësor, ndërsa, sipas vlerësimit të autorit të raportimit, zhvillimi i seancës i dha më shumë përparësi mbrojtjes sesa akuzës.

Të gjithë të akuzuarit në rastin “Lotaria Shtetërore” ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës dhe autorizimit zyrtar”, sipas nenit 353, paragrafi 5, në lidhje me paragrafët 4 dhe 1, si dhe nenin 22 të Kodit Penal. Sipas aktakuzës, veprat pretendohet se janë kryer gjatë viteve 2023 dhe 2024. Për këto vepra parashihet dënim me burg prej një deri në pesë vjet.

Megjithatë, avokatët dhe të akuzuarit pretendojnë se nga ky prokurim publik nuk është shkaktuar dëm. Për këtë arsye, sipas tyre, edhe Prokuroria nuk kërkon kompensim dëmi në këtë procedurë.

Ata theksojnë se shuma prej 9.7 milionë eurosh nuk përbën përvetësim, se paratë nuk janë vjedhur dhe se kjo shumë paraqet vlerën e pajisjeve, të cilat vazhdojnë të jenë pronë e Lotarisë Shtetërore dhe vlera e të cilave, sipas mbrojtjes, vetëm rritet.

Mbrojtja shton se Lotaria Shtetërore kishte pasur ndalesë vetëm për organizimin e lojërave të fatit në internet, por jo edhe për organizimin e tyre përmes pajisjeve të blera, shkruan SakamDaKazem përcjellë Top24