Zvërneci, perla natyrore e Vlorës

Aty ku gjiri i Detit Adriatik takohet me peizazhin e Lagunës së Nartës, shtrihet Zvërneci, një nga zonat më të veçanta të bregdetit shqiptar.

Zvërneci konsiderohet si një nga fshatrat më të veçantë të Vlorës, i njohur për natyrën e tij unike dhe trashëgiminë kulturore.

I vendosur pranë lagunës, Zvërneci ruan në ditët e sotme atmosferën e një vendi të qetë, ku deti, pylli dhe historia ndërthuren së bashku.

Deti, pylli dhe historia ndërthuren

Pak kilometra larg qytetit Vlorës, ky territor me një sipërfaqe ndërthur detin, pyjet, lagunën dhe monumentet e trashëgimisë kulturore, duke krijuar një peizazh që vitet e fundit tërheq vizitorë vendas dhe të huaj.

Sipas të dhënave zyrtare nga Bashkia e Vlorës, Zvërneci, me ishullin e vogël të tij, ndodhen 14 km larg nga Vlora, aty ku mbaron pylli i Sodës dhe fillon Laguna e Nartës.

Në zemër të kësaj hapësire ndodhet ishulli i Zvërnecit, i mbuluar kryesisht me pisha, selvi dhe bimësi tjetër mesdhetare.

Ishulli i vogël është i lidhur me tokën përmes një ure prej druri, e cila përshkon ujërat e qeta të lagunës dhe i jep vizitës së çdo turisti një tjetër dimension.

Në fund të urës ndodhet Manastiri i Shën Mërisë, një nga monumentet më të njohura të zonës, që daton në shekullin e XIII.

Laguna që e rrethon ishullin është një ekosistem i pasur me biodiversitet, me shpendë të ndryshëm ujorë, përfshirë flamingot.

Ujërat e qeta dhe reflektimi i pyllit në sipërfaqen e lagunës krijojnë një panoramë magjepsëse për çdo vizitor, ndërkohë përballë shtrihet edhe Ishulli i Sazanit.