Zbulohet planeti më i ri i njohur deri më sot: Elias 2-24 b sapo ka nisur jetën

Një zbulim i ri astronomik po u jep shkencëtarëve një mundësi të rrallë për të parë nga afër fazat e para të formimit të një planeti. Astronomët kanë konfirmuar ekzistencën e Elias 2-24 b, një planet me përmasa të ngjashme me Jupiterin dhe me një moshë prej më pak se një milion vjetësh.

Ky zbulim e bën Elias 2-24 b planetin më të ri të njohur deri më tani dhe mund të ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë më mirë mënyrën se si krijohen planetët gjigantë.

Planeti ndodhet rreth 450 vite dritë nga Toka dhe është ende duke orbituar brenda diskut të pluhurit dhe materialeve që rrethojnë yllin e tij shumë të ri. Pikërisht kjo e bën sistemin veçanërisht interesant, pasi astronomët kanë mundësinë të studiojnë formimin e një planeti ndërsa procesi është ende në zhvillim.

Elias 2-24 b u identifikua përmes vëzhgimeve të ruajtura në arkivat e financuara nga NASA. Zbulimi ka ngritur gjithashtu pikëpyetje për modelet aktuale shkencore mbi formimin e planetëve gjigantë.

Lucas Cieza, profesor në Institutin e Studimeve Astrofizike të Kilit dhe bashkëautor i studimit, thekson se modelet ekzistuese kanë pasur vështirësi edhe me planetët më të rinj të zbuluar më parë, të cilët ishin mbi pesë milionë vjeç.

Sipas tij, Elias 2-24 b tregon se modeleve më të avancuara të formimit të planetëve ende u mungojnë disa procese të rëndësishme.

Studimi i këtij planeti mund t’u japë astronomëve edhe një ide se si mund të ketë qenë Sistemi ynë Diellor miliarda vjet më parë.

“Galaktika prodhon vazhdimisht yje dhe planetë të rinj”, shpjegon Cieza, duke shtuar se teleskopët aktualë ende kanë vështirësi për të vëzhguar drejtpërdrejt këto “planete bebe”. Për këtë arsye, Elias 2-24 b përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme për të studiuar një botë në momentet e para të ekzistencës së saj.