Von der Leyen: Pamjet nga varrimi i Ratko Mlladiqit ishin tronditëse

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dënuar praninë e zyrtarëve të lartë serbë në varrimin e Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte.

“Pamjet nga varrimi i djeshëm i Ratko Mlladiqit në Beograd ishin tronditëse. Ratko Mlladiqi ishte një kriminel lufte i dënuar. Ai ishte përgjegjës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai vdiq ndërsa po vuante dënimin e përjetshëm me burg për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera”, shkroi von der Leyen në X.

Ajo tha se elementet e mbështetjes zyrtare dhe prania e disa zyrtarëve të lartë serbë në varrim janë “thellësisht për t’u ardhur keq”.

“Sipas saj, ato tregojnë dështimin për t’u përballur me kapitullin e errët të historisë së afërt evropiane dhe janë në kundërshtim me vlerat mbi të cilat bazohet rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.

Mendimet tona janë me të gjitha viktimat e krimeve të kryera në vendet e ish-Jugosllavisë”, theksoi von der Leyen.

Ratko Mlladiqi, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Srpska, vdiq në Hagë, ndërsa po vuante dënimin e përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte. Në varrimin e tij, shërbesa fetare u drejtua nga patriarku serb Porfirije, së bashku me peshkopë të Kishës Ortodokse Serbe.

Në mesin e personave që morën pjesë për t’i bërë nderimet Mlladiqit ishin ministra serbë, lideri i koalicionit qeverisës në Republikën Srpska, Milorad Dodik, Danilo Vuçiq, djali i presidentit të Serbisë, si dhe ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Harçenko.

Screenshot