Një fëmijë 18-muajsh ka dalë i vetëm nga çerdhja në Brazil dhe ka përshkuar rreth 50 metra për të shkuar te vendi i punës së nënës së tij.
Ngjarja ka ndodhur në Braço do Norte, ku kamerat e sigurisë kanë filmuar vogëlushin duke ecur i vetëm në rrugë. Në një moment ai tenton të ngjitet në trotuar, rrëzohet, por ngrihet sërish dhe vazhdon rrugën, shkruan Daily Star, transmeton Klankosova.tv.
Fëmija arriti deri te ndërtesa ku punonte nëna e tij dhe trokiti në derën prej xhami. Një recepsioniste e vuri re dhe, pasi kuptoi se ai ishte i vetëm, e mori menjëherë brenda dhe e bashkoi me nënën.
Nëna kishte lënë fëmijën në çerdhe rreth orës 07:20, ndërsa sipas saj ai kishte arritur të largohej pak pas orës 08:45. Në atë kohë, çerdhja po i nënshtrohej punimeve dhe porta e saj ishte e dëmtuar.
Pas incidentit, fëmija është transferuar në një çerdhe tjetër. Policia dhe autoritetet lokale të arsimit kanë nisur hetime për të zbardhur se si 18-muajshi arriti të largohej i pashoqëruar dhe nëse do të ketë përgjegjësi ligjore për rastin.



