VLEN: 5 pyetje që Ali Ahmeti dhe BDI duhet t’u përgjigjen

VLEN ka shprehur zhgënjimin për aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke theksuar se, pavarësisht vendimit gjyqësor, karakteri i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund të ndryshohet. VLEN vlerëson se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe çlirimtare, e zhvilluar kundër regjimit serb që vrau, dëboi dhe përndoqi popullsinë e Kosovës. “Pavarësisht aktgjykimit, një gjë nuk ndryshon. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë dhe çlirimtare kundër një regjimi që vrau, dëboi dhe përndoqi popullin e Kosovës. Këtë të vërtetë e di Kosova, e dinë shqiptarët dhe e di edhe bashkësia ndërkombëtare që ndërhyri për ta ndalur regjimin e Millosheviqit”, thuhet në kumtesë.

VLEN njëkohësisht ka akuzuar Bashkimin Demokratik për Integrim se po përpiqet ta shfrytëzojë këtë çështje të ndjeshme për përfitime politike dhe ta paraqesë marshin protestues në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së si organizim mbipartiak. Sipas VLEN-it, UÇK-ja nuk është pronë e asnjë partie politike dhe nuk duhet të përdoret për qëllime partiake. “Edhe të ashtuquajturin marsh, alla BDI, mundohen ta paketojnë dhe ta shesin si ‘mbipartiak’. UÇK-ja nuk është pronë e BDI-së dhe nuk mund të përdoret si alibi për t’ia larë mëkatet”, thuhet më tej në reagim.

Nga kjo parti pretendojnë se, nëse BDI-ja dëshiron të kërkojë përgjegjësi për zhvillimet që çuan në gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së, atëherë duhet të japë përgjigje për rolin që, sipas VLEN-it, ka pasur kryetari i saj, Ali Ahmeti, në proceset që lidhen me Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

VLEN ka parashtruar pesë pyetje publike, duke kërkuar të bëhet e ditur nëse ka pasur ndonjë marrëveshje në këmbim të mbështetjes për themelimin e Gjykatës Speciale, çfarë përmban dosja që lidhet me dëshminë e Ali Ahmetit dhe cili ka qenë statusi i tij në këtë proces.

VLEN gjithashtu pyet nëse dëshmia e Ahmetit ka shërbyer si bazë për ngritjen e aktakuzës kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe nëse ekziston ndonjë lidhje politike ndërmjet Dhomave të Specializuara dhe nismës “Ballkani i Hapur”.

Në kumtesën e VLEN-it nuk janë paraqitur prova për pretendimet e ngritura lidhur me përmbajtjen ose ndikimin eventual të dëshmisë së Ali Ahmetit në procesin gjyqësor. “Prandaj, në vend të thirrjes për protestë, nga lobistët për themelimin e Gjykatës Speciale sot kërkohen përgjigje publike”, përfundon kumtesa e VLEN-it.