Futbollistit argjentinas Mauro Icardi i është hequr patenta e shoferit në Argjentinë, ndërsa ndalimi i drejtimit të automjetit është caktuar të zgjasë deri më 1 janar 2099.
Vendimi erdhi pas publikimit të një videoje nga partnerja e tij, China Suárez, ku Icardi shihej duke drejtuar automjetin, ndërsa ajo përkulej nga dritarja gjatë lëvizjes.
Në video, Suárez shihet duke hequr rripin e sigurimit dhe duke nxjerrë pjesën e sipërme të trupit jashtë dritares, ndërsa automjeti ishte në lëvizje.
Përveç heqjes së patentës, Icardi duhet t’i nënshtrohet edhe një vlerësimi për aftësinë e tij për të drejtuar automjetin.
Sipas vendimit të autoriteteve, ndalimi është caktuar deri më 1 janar 2099. Nëse ky afat mbetet në fuqi, ish-sulmuesi i PSG-së do të ishte atëherë 105 vjeç.


