Vazhdojnë punimet për Korridorin 8, lidhja mes Adriatikut dhe Detit të Zi

Kryeministri Hristijan Mickoski nga Nju Jorku theksoi rëndësinë strategjike të Korridorit 8 dhe 10, si dhe zhvillimin e infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe energjetike. Përmendi zhvillimin e autostradave, hekurudhave dhe infrastrukturës energjetike, përfshirë lidhjen me terminalin energjetik të Aleksandropolisit në Greqi dhe Evropën Qendrore.

Avantazhi ynë më i madh është fakti që jemi një kryqëzim natyral i dy korridoreve pan evropiane, Korridori 10 dhe Korridori 8. Praktikisht, pikë lidhëse e këtyre dy korridoreve. Ndodhet në verilindje, disa kilometra në veri-lindje të kryeqytetit tonë, Shkupit. Praktikisht, qëllimi i Korridorit 10 është të lidhë Mesdheun nga Deti Azov me Evropën Qendrore, dhe qëllimi i Korridorit 8 është të lidhë Detin Adriatik dhe Jon me Detin e Zi. Të dy këta korridore janë shumë të rëndësishëm për krahun lindor të NATO-s”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

E pikërisht për infrastrukturën sot u fol edhe në Kuvend. Eurodeputeti nga Partia Socialiste Bullgare dhe anëtar i Delegacionit të PE-së në Komitetin e Përbashkët Parlamentar BE-Maqedoni, Kristijan Vigenin, deklaroi se përparimi i Korridorit 8 është një provë praktike e integrimit evropian. Ai kërkoi përshpejtimin e punimeve dhe tenderëve për hekurudhën, duke theksuar se korridori duhet të lidhë Maqedoninë e Veriut me Bullgarinë, Shqipërinë dhe rajonin. Vigenin vlerësoi se projektet po zbatohen shumë ngadalë.

Korridori 8 duhet të na lidhë, jo të na ndajë, ai do të inkurajojë shkëmbimin rajonal dhe do të lidhë Maqedoninë e Veriut me Detin e Zi dhe atë Adriatik. Zbatimi, duhet të them, është shumë i ngadaltë. Maqedonia e Veriut ende nuk ka një plan veprimi. Kapaciteti administrativ për projektet e ndërtimit dhe transportit është i kufizuar, ka mungesë në sigurinë rrugore dhe lëvizshmërinë urbane, ka mbështetje të konsiderueshme nga Bashkimi Evropian që mund të merret”, tha Kristijan Vigenin, eurodeputeti bullgar.

Nga ana tjetër deputeti i LSDM-së Bllagoj Boçvarski deklaroi se korridori 10 ka përfunduar nga ana e vendit tonë, gjersa shtoi se çështja tani është te ndërtimi i Korridorit 8.

Sot, angazhimi ynë dhe çështja jonë e hapur është ndërtimi i Korridorit 8, boshtit Lindje-Perëndim, ku si shtet po investojmë burime serioze financiare përmes një operacioni ndërtimi jashtëzakonisht të fortë, po punojmë për të çarë terrenin dhe peizazhet më të vështira malore. Duhet të theksoj, duke ditur ndërlikueshmërinë e projekteve, se këto janë projekte që mund të fillojnë nga një qeveri, por nuk mund të përfundojnë nga e njëjta qeveri, janë projekte që zgjasin më shumë se 4 ose 6 vjet”, pohoi Bllagoj Boçvarski, deputet i LSDM-së.

Korridori 8 mbetet një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore, por realizimi ende nuk është përmbyllur. Punimet vazhdojnë në disa segmente rrugore dhe hekurudhore, ndërsa pjesë të tjera janë ende në fazën e tenderimit dhe përgatitjes. Synimi është që Maqedonia e Veriut të lidhet përmes një korridori të plotë me Bullgarinë dhe Shqipërinë, duke krijuar një lidhje më të shpejtë tregtare dhe infrastrukturore mes Detit të Zi dhe Adriatikut.