Uji i pijshëm nga rrjeti publik i Gostivarit është i sigurt për konsum, konfirmojnë rezultatet e fundit të analizave laboratorike. Ndërmarrja Publike „Komunalec“ – Gostivar njoftoi se raportet e pranuara më 4 shtator 2026 nuk kanë evidentuar probleme me cilësinë e ujit.
Sipas raporteve zyrtare të Qendrës për Shëndet Publik Tetovë – Njësia Rajonale Gostivar, mostrat e analizuara përmbushin standardet fiziko-kimike dhe mikrobiologjike, si dhe kriteret ligjore për cilësinë dhe sigurinë e ujit të pijshëm.
Mostrat janë marrë në shtatë pika të ndryshme të rrjetit të ujësjellësit, përfshirë pompën e benzinës „Makpetrol“ në rrugën JNA, kaptazhin në Vërtok, lagjet Mllaki, Pitarnicë dhe Tullana, çezmat publike, si dhe Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit.
Nga analizat laboratorike është konstatuar se uji është në përputhje me kriteret e përcaktuara për konsum të sigurt.
Nga „Komunalec“ bëjnë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë rregullisht, përmes marrjes së mostrave ditore dhe analizave laboratorike, me qëllim që qytetarëve t’u garantohet furnizim i sigurt dhe cilësor me ujë të pijshëm.
Rezultatet e analizave janë bërë publike edhe në faqen zyrtare të ndërmarrjes, në kuadër të informimit dhe transparencës ndaj qytetarëve.


