Turqia publikon dokumente arkivore për mizoritë e Ushtrisë Greke në Anadoll

Ministria e Jashtme e Turqisë publikoi të premten dokumente arkivore dhe fotografi që sipas saj dokumentojnë mizoritë e kryera nga Ushtria greke kundër civilëve turq në Anadoll gjatë Luftës Greko-Turke të viteve 1919-1922, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të postuar në platformën amerikane të mediave sociale X, ministria tha se materiali nga arkivat e saj tregon shkatërrimin e fshatrave dhe vrasjen e civilëve gjatë pushtimit të Anadollit nga ushtria greke dhe tërheqjen pasuese. Ajo tha se të dhënat janë dëshmi e një politike sistematike të shkatërrimit që u njoh në Traktatin e Lozanës të vitit 1923 dhe nga raportet ndërkombëtare.

“Dokumentet dhe fotografitë që kemi nxjerrë nga arkivat e Ministrisë sonë zbulojnë edhe një herë mizoritë e kryera nga Ushtria Greke në Anadoll midis viteve 1919 dhe 1922″, njoftoi ministria.

“Gjatë pushtimit të Anadollit dhe tërheqjes pasuese, forcat greke ndoqën një politikë sistematike të shkatërrimit – një fakt i njohur në Traktatin e Paqes të Lozanës dhe në raporte të ndryshme ndërkombëtare” thuhet në deklaratën ku vihet theksi se “Të dhënat që ne po ndajmë shërbejnë si një shembull pikëllues i një masakre të kryer kundër popullatës civile turke në një fshat afër Bursës”.