Turqia krijon bord për koordinimin e likuidimit të fondeve dhe pagesave për investitorët

Turqia ka krijuar një bord të kryesuar nga zv/presidenti për të koordinuar likuidimin e fondeve të investimeve dhe për të mbrojtur të drejtat e investitorëve, transmeton Anadolu.

Drejtoria e Komunikimeve njoftoi se vendimi u mor pas një takimi të kryesuar nga presidenti Recep Tayyip Erdogan me zyrtarë ekonomik dhe përfaqësues të lartë të institucioneve përkatëse, ku u vlerësuan zhvillimet e fundit në tregjet e kapitalit.

Sipas deklaratws, Erdogan tha se prioritetet e autoriteteve janë kryerja me kujdes e procesit të likuidimit të fondeve, mbrojtja e investitorëve në përputhje me rregullat e tregut të kapitalit dhe realizimi i pagesave në mënyrë të drejtë dhe sa më shpejt të jetë e mundur.

Bordi i ri për Koordinimin e Fondeve do të mbikëqyrë procesin duke marrë parasysh të drejtat legjitime të investitorëve dhe interesin publik.

Me urdhër të Erdoganit, Bordi Shtetëror i Auditimit ka nisur shqyrtimin dhe auditimin e transaksioneve të fundit të fondeve të investimeve në tregjet e kapitalit.

Bordi i Tregjeve të Kapitalit paraqiti një plan për pagesën e investitorëve, të drejtat e të cilëve janë verifikuar. Pagesat do të varen nga asetet dhe likuiditeti i fondeve që po likuidohen.

Zyrtarët e informuan gjithashtu Erdoganin për procesin në vazhdim për transferimin e kompanive të financimit të kursimeve Katilimevim dhe Birevim, si dhe Iktisat Participation Bank, te Türkiye Emlak Participation Bank.

Drejtoria tha se do të ndërmerren masa të tjera administrative dhe ligjore për të forcuar funksionimin dhe mbikëqyrjen e tregjeve të kapitalit dhe për të parandaluar përsëritjen e problemeve të ngjashme.