Trump: Takim “shumë produktiv” me presidentin kinez Xi Jinping

Presidenti amerikan Donald Trump tha sot se ka patur takim “shumë produktiv” me homologun e tij kinez Xi Jinping, duke shtuar se “do të ndodhin gjëra madhështore”, transmeton Anadolu.

“Takim shumë produktiv me presidentin Xi si për SHBA-në, ashtu edhe për Kinën. Do të ndodhin gjëra madhështore”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.

“Si pothuajse të gjithë të tjerët, edhe ai dukej se e pëlqente ta quante inteligjencën artificiale, të emërtuar keq dhe në mënyrë të pasaktë, me një emër shumë më të saktë dhe më të rëndësishëm, superinteligjencë. Kjo do të ishte ‘super’! Të gjithë ranë dakord mbrëmë gjithashtu”, shtoi ai.

Xi ndodhet në një vizitë shtetërore treditore në SHBA që nga e mërkura, e dyta e tij që nga viti 2015.

Të enjten, Trump dhe Xi zhvilluan bisedime dhe morën pjesë në një darkë shtetërore. Trump tha se dy vendet “nuk kanë pasur kurrë marrëdhënie më të mira” ndërsa pranoi se ato “përfaqësojnë sisteme të ndryshme”.

Xi tha se liderët zhvilluan “shkëmbime të sinqerta dhe të thelluara” dhe arritën mirëkuptim të përbashkët për disa çështje, duke shtuar se diskutimet ofruan “udhëzime të reja strategjike” për marrëdhëniet Kinë-SHBA.

Para bisedimeve me Xi, Trump tha se vendimet që dy liderët marrin sot për çështjet urgjente që lidhen me sigurinë, teknologjinë dhe superinteligjencën “mund të promovojnë paqen dhe prosperitetin për dekada e dekada në vazhdim”.