Testi PISA 2025, alarm për arsimin, nxënësit kosovarë me rezultate katastrofale

Rezultatet e reja të testit ndërkombëtar PISA 2025 kanë sjellë edhe një goditje për sistemin arsimor të Kosovës. Pas vitesh reformash, strategjish dhe premtimesh për përmirësimin e cilësisë, nxënësit kosovarë vazhdojnë të kenë rezultate jashtëzakonisht të dobëta në matematikë, lexim dhe shkencë.

Sipas rezultateve të publikuara të martën nga OECD, nxënësit 15 vjeçarë të Kosovës kanë marrë vetëm 350 pikë në matematikë, 340 pikë në lexim dhe 357 pikë në shkencë.

Veçanërisht shqetësuese është matematika. Në PISA 2022 Kosova kishte 355 pikë, ndërsa në testin e vitit 2025 ka rënë në 350 pikë, pesë pikë më pak.

As në lexim nuk ka përmirësim. Nga 342 pikë në vitin 2022, rezultati ka rënë në 340 pikë. Vetëm në shkencë rezultati ka mbetur i pandryshuar, në 357 pikë.

Rezultatet janë alarmante pasi që shihen si vazhdimësi e një trendi shumëvjeçar.

OECD kishte konstatuar që në PISA 2022 se rezultatet e Kosovës kishin rënë krahasuar me vitin 2018 në të tri fushat matematikë, lexim dhe shkencë. Në periudhën 2015–2022 ishte rritur gjithashtu përqindja e nxënësve që nuk arrinin as nivelin bazë të kompetencës në të tri lëndët. Në vitin 2022, vetëm 15 për qind e nxënësve kosovarë arrinin të paktën nivelin bazë në matematikë, krahasuar me 69 për qind mesatarisht në vendet e OECD’së.

Në lexim këtë prag e arrinin vetëm 17 për qind, kundrejt 74 për qind në OECD, ndërsa në shkencë vetëm 21 për qind, krahasuar me 76 për qind në OECD.

Kjo do të thotë se problemi i Kosovës nuk është më vetëm renditja e dobët në një test ndërkombëtar. PISA mat nëse 15-vjeçarët janë në gjendje ta përdorin dijen për të zgjidhur probleme, për të menduar në mënyrë kritike dhe për t’u përballur me situata reale.

Në PISA 2025 morën pjesë 6,632 nxënës 15-vjeçarë nga 213 shkolla të Kosovës. Testimi në Kosovë është zhvilluar nga 10 deri më 30 maj 2025.

Në nivel ndërkombëtar, në PISA 2025 morën pjesë më shumë se 760 mijë nxënës nga 91 vende dhe ekonomi, që përfaqësojnë rreth 33 milionë 15-vjeçarë.

OECD njoftoi se rezultatet mesatare kanë rënë edhe në vendet e zhvilluara, duke arritur nivelet më të ulëta të regjistruara deri tani në shkencë, lexim dhe matematikë. Megjithatë, rezultatet e Kosovës vazhdojnë të jenë dukshëm poshtë mesatares së vendeve të OECD-së.

Rezultatet e vitit 2025, konfirmojnë se Kosova vazhdon mbetet në krizë të thellë të cilësisë së arsimit.

Në matematikë ka regres, në lexim nuk ka përmirësim, ndërsa në shkencë rezultati ka mbetur në vend.

Postimi i plotë:

Publikohen rezultatet e PISA 2025

Në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), i cili u mbajt në periudhën 10-30 maj të vitit 2025, morën pjesë gjithsej 6632 nxënës të moshës 15-vjeç nga 213 shkolla. Rezultatet e PISA 2025 tregojnë se performanca mesatare e nxënësve të Kosovës në shkencë –357 pikë dhe lexim – 340 pikë, rezultatet kanë mbetur përafërsisht në nivelin e vitit 2022, 357 pikë, respektivisht 342 pikë, ndërsa në matematikë – 350 pikë, performanca mesatare është më e ulët për 5 pikë në krahasim me vitin 2022. Rezultati më i lartë u shënua në fushën e zgjidhjeve kompjuterike, gjithsej 359 pikë. Rezultatet në katër treguesit kryesorë të performancës janë nën mesataren e vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Në këtë edicion të testit PISA, vajzat kanë arritje më të larta se djemtë në të tri fushat e vlerësuara. Në shkencë, vajzat kanë shënuar 366 pikë, ndërsa djemtë 347 pikë, me një diferencë prej 19 pikësh. Në lexim, vajzat kanë arritur 358 pikë, krahasuar me 322 pikë te djemtë, duke shënuar një diferencë prej 36 pikësh. Ndërsa në matematikë, rezultatet janë pothuajse të barabarta, me 351 pikë për vajzat dhe 350 pikë për djemtë, me vetëm 1 pikë diferencë.

Leximi preliminar i gjetjeve të PISA 2025 sugjeron se fokusi i ndërhyrjeve metodologjike dhe pedagogjike duhet të jetë në rritjen e cilësisë së të nxënit dhe në sigurimin e përparimit të të gjithë nxënësve. Prioritet i veçantë duhet t’i kushtohet zhvillimit të aftësive të aplikuara në matematikë, shkencë dhe lexim, veçanërisht aftësive për të menduar në mënyrë kritike, për të interpretuar informacionin, për të zgjidhur probleme dhe për të zbatuar njohuritë në situata të jetës reale.

Një nga fushat me potencial të madh për përmirësim është rritja e numrit të nxënësve që arrijnë nivelet bazë të aftësive. Në vitin 2025, rreth 21% e nxënësve në Kosovë arritën të paktën Nivelin 2 në shkencë, 15% në matematikë dhe rreth 16% në lexim. Në të njëjtën kohë, numri i nxënësve që arrijnë nivelet më të larta të performancës mbetet shumë i vogël. Kjo tregon nevojën për një qasje të dyfishtë: mbështetje më të madhe për nxënësit me rezultate të ulëta dhe programe të veçanta për zhvillimin e potencialit të nxënësve me performancë të lartë.

Vëmendje kërkon edhe frekuentimi i shkollës. Rreth 54% e nxënësve raportuan se kishin munguar të paktën një ditë gjatë dy javëve para testit, ndërsa 56% kishin munguar të paktën në një orë mësimore. Këto të dhëna tregojnë nevojën për mekanizma më të mirë të monitorimit të vijueshmërisë dhe bashkëpunim më të strukturuar ndërmjet shkollës, prindërve dhe nxënësve.

Në bazë të gjetjeve, raporti i Programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve rekomandon:

• Forcimin e të nxënit bazë në matematikë, shkencë dhe lexim, me fokus të veçantë te nxënësit që nuk arrijnë Nivelin 2 të aftësive.

• Zhvillimin e mësimdhënies së bazuar në zgjidhjen e problemeve, situata reale, mendimin kritik dhe aplikimin praktik të njohurive.

• Krijimin e programeve për nxënësit me performancë të lartë, me qëllim identifikimin dhe zhvillimin e talentit në shkencë, matematikë dhe lexim.

• Shfrytëzimin e reziliencës akademike si praktikë pozitive, duke identifikuar shkollat, mësuesit dhe praktikat që ndihmojnë nxënësit e pafavorizuar të arrijnë rezultate të larta.

• Forcimin e zhvillimit profesional të mësimdhënësve, veçanërisht në pedagogjinë e orientuar drejt kompetencave, vlerësimit formativ, diferencimit të mësimit dhe menaxhimit të klasës.

• Zhvillimin e politikave për përdorimin efektiv të teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale-së, duke kaluar nga përdorimi thjesht instrumental drejt përdorimit të tyre për kërkim, analizë, verifikim dhe krijim të pavarur të njohurive.

• Forcimin e bashkëpunimit shkollë–familje, veçanërisht për mbështetjen e nxënësve, vijueshmërinë dhe krijimin e shprehive të qëndrueshme të të nxënit.

• Përmirësimin e klimës së të nxënit dhe disiplinës pozitive, duke krijuar klasa më të qeta, gjithëpërfshirëse dhe të fokusuara në procesin mësimor.

• Monitorimin e vijueshmërisë së nxënësve dhe ndërmarrja e masave të hershme për nxënësit me mungesa të shpeshta.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës do t’i analizojë të gjitha gjetjet, rezultatet dhe të dhënat e dala nga PISA 2025. Raporti do të shërbejë si reference qendrore për ndërhyrjet dhe përmirësimet sistematike, metodologjike dhe pedagogjike të cilat do të reflektohen në Strategjinë e re të Arsimit.