Tërheqim lëndën zgjedhore Edukim Gjithëpërfshirës Seksual, thotë ministrja Janevska

Lënda zgjedhore Edukim Gjithëpërfshirës Seksual nuk do të ketë në arsimin e mesëm, përcjell TV21. Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka vendosur ta tërheqë programin mësimor për ta rishikuar. Këtë e bëri të ditur sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, pas reagimeve lidhur me futjen e kësaj lënde si zgjedhore për nxënësit e shkollave të mesme nga viti i parë deri në të katërtin.

“Për momentin e kemi tërhequr programin dhe lëndën dhe do të bëjmë një rishikim të thellë, me kërkesë të opinionit publik, për të parë nëse vërtet në program ka diçka për të cilën mund të ketë vërejtje. Në program ka tema si familja, mbrojtja nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, mbrojtja nga shtatzënia e padëshiruar, barazia gjinore dhe mosdiskriminimi ndërmjet gjinive. Por, po e përsëris, tashmë i kam kërkuar Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, sepse unë nuk jam eksperte në këtë fushë, por edhe personalisht do të angazhohem që ta shqyrtojmë programin fjalë për fjalë dhe të shohim se çfarë është problematike në të”, deklaroi Janevska.

Siç tha ajo, ekzistojnë dëshmi shkencore se edukimi seksual në arsimin e mesëm është i dobishëm në periudhën kur fëmijët e kësaj moshe përballen me temat që trajtohen në këtë lëndë. Ajo theksoi se lënda ishte zgjedhore dhe do të mund ta ndiqnin vetëm nxënësit e shkollave të mesme që dëshirojnë, nga viti i parë deri në të katërtin.

“Megjithatë, detyrë e ministrit të Arsimit dhe Shkencës është t’i dëgjojë të gjithë ata që kanë çfarëdo komenti për sistemin arsimor”, shtoi Janevska.