Sulmi rus pranë kufirit me Poloninë, evakuohet treni ku udhëtonte Boris Johnson

Një sulm rus me dronë ka goditur një tren pranë kufirit mes Ukrainës dhe Polonisë, në rajonin e Volynit, duke shkaktuar dëme në lokomotivë dhe në një pikë karburanti. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi sulmin si të qëllimshëm.

Ekipet e emergjencës janë duke punuar pranë kufirit polako-ukrainas, në rajonin e Volynit, ku rusët i vunë qëllimisht zjarrin lokomotivës së një treni dhe dëmtuan një stacion shërbimi gjatë një sulmi me dronë”, shkroi Zelensky në X.

Sipas presidentit ukrainas, gjatë natës dhe në orët e mëngjesit u sulmuan gjithashtu infrastruktura energjetike, kompania hekurudhore Ukrzaliznytsia, biznese dhe ndërtesa banimi. Edhe qyteti i Odesës u vu në shënjestër të sulmeve me raketa dhe dronë.

Alarm për dronë, evakuohet treni me Boris Johnson

Gjatë së njëjtës valë sulmesh, alarmi për dronë detyroi edhe një tren privat, në të cilin udhëtonin ish-kryeministri britanik Boris Johnson dhe një grup zyrtarësh e këshilltarësh europianë, të ndalonte pranë kufirit ukrainas me Poloninë.

Treni po kthehej drejt Polonisë pas një konference për sigurinë në Kiev. Rreth orës 05:00, pas alarmit për dronë, disa pasagjerë u zgjuan dhe u evakuuan përkohësisht nga treni. Pak më vonë, alarmi u hoq dhe situata u normalizua.

Në bord ndodheshin edhe Gunter Sautter, këshilltar i kancelarit gjerman Friedrich Merz për politikën e jashtme dhe sigurinë, si dhe këshilltarë britanikë, francezë e italianë, deputetë gjermanë, diplomatë dhe akademikë.

Delegacioni kishte marrë pjesë në takimin vjetor të Yalta European Strategy në Kiev, ku u diskutua edhe mundësia e negociatave për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë.

Ish-kryeministri suedez Carl Bildt, i cili ishte gjithashtu në tren, tha se treni që udhëtonte pas tyre u godit nga një dron.

Nuk ishte treni ynë, por ai që udhëtonte disa minuta pas nesh, pranë pikës së kalimit kufitar”, deklaroi Bildt. Sipas tij, treni u evakuua ndërsa droni po afrohej, ndërsa nuk pati të plagosur.

Pavarësisht incidentit, Boris Johnson dhe personat e tjerë në trenin e delegacionit mbetën të padëmtuar.