Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, ka folur për problemin e krijuar rreth regjistrimit të nxënësve në shkollën “Petar Zdravkovski-Penko” në Çair, duke theksuar se nxënësit që i përkasin kësaj komune duhet të ndjekin mësimin në shkollat e Komunës së Çairit.
Sulejmani, në emisionin “Impakt” në TV Shenja, tha se në rast nevoje mund të hapen paralele të reja, ndërsa nëse ka hapësirë mund të shqyrtohet edhe ndërtimi i një objekti të ri shkollor.
“Ne mendojmë se, nxënësit që i takojnë Komunës së Çairit duhet të shkojnë nëpër shkollat e Komunës së Çairit. Në rast se ka nevojë, do të hapim paralele të reja nëpër shkollat e Komunës së Çairit, do të shqyrtojmë mundësinë që aty ku kemi hapësirë, të ndërtojmë edhe një objekt të ri shkollor, mirëpo t’i mbajmë nxënësit e Çairit nëpër shkollat e Çairit për arsye se e thash, është shumë e rëndësishme, në fund të fundit, nga numri i nxënësve që i ka Komuna e Çairit përfiton financiarisht Komuna e Çairit dhe ne nuk duhet lejojmë që asnjë komunë të dëmtohet financiarisht, për shkak të regjistrimeve që i bën një nxënës në komunë tjetër.
Nuk është se ligji e ndalon këtë punë, ligji e lejon në raste kur kemi nevojë për pak të formohet një paralele edhe për arsye të formimit të paraleleve ka tolerime të tilla, mirëpo kur kemi mundësi, shkollat janë afër, mendoj se të gjithë nxënësit që i takojnë një komune duhet të regjistrohen në të njëjtën komunë, sepse në këtë mënyrë do t’i ndihmojë edhe komunës edhe shkollës me mjete financiare”, deklaroi Sulejmani.


