Të paktën 26 persona kanë humbur jetën dhe 82 të tjerë janë plagosur në përleshjet e reja mes pjesëtarëve të dy fiseve në Abyei, një rajon i kontestuar mes Sudanit dhe Sudanit të Jugut.
Sipas Forcës së Përkohshme të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara për Abyein (UNISFA), dhuna shpërtheu të martën në tregun Amiet, një prej qendrave kryesore tregtare të zonës.
Përplasjet u paraprinë nga vrasja e dy personave, njërit pjesëtar i fisit Ngok Dinka dhe tjetrit i fisit Misseriya, më 14 dhe 15 shtator. Ngjarjet përshkallëzuan tensionet e mëparshme mes dy komuniteteve dhe u pasuan nga përleshje të gjera.
Deri të mërkurën, bilanci kishte shkuar në 26 viktima dhe 82 të plagosur
Pas shpërthimit të dhunës, UNISFA forcoi menjëherë praninë e saj në tregun Amiet dhe në zonat përreth, me qëllim uljen e tensioneve dhe parandalimin e përplasjeve të tjera.
Abyei mbetet një nga zonat më të brishta në rajon, pasi statusi i saj politik nuk është zgjidhur që nga viti 2011, kur Sudani i Jugut shpalli pavarësinë.
Përplasjet mes komuniteteve janë të shpeshta, ndërsa situata është rënduar më tej nga lufta që vazhdon në Sudan. Sipas të dhënave të organizatës ACLED, qindra persona u vranë në zonë gjatë vitit 2025 në kuadër të dhunës së lidhur me konfliktin më të gjerë.
Forca paqeruajtëse e OKB-së në Abyei ka rreth 3 mijë pjesëtarë ushtarakë dhe policorë. Misioni i saj kryesor është mbrojtja e civilëve dhe ruajtja e sigurisë në këtë rajon strategjik, i cili është gjithashtu i pasur me burime nafte.


