Policia në Stamboll ka zhvilluar një operacion në lagjen Fatih, ku ka zbuluar një adresë që dyshohet se përdorej për prodhimin dhe shpërndarjen e parave të falsifikuara. Dy persona janë arrestuar.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar:
* 963 mijë e 800 euro të falsifikuara
* 91 mijë e 100 dollarë të falsifikuara
* 800 lira turke të falsifikuara
* 1 milion e 680 mijë euro në formë fletësh të falsifikuara, ende të papërfunduara
* pajisje dhe materiale të ndryshme për prodhimin e parave, përfshirë makina laminimi, pajisje për prerje dhe holograme.
Sipas policisë, njëri prej të dyshuarve, 49-vjeçari K.A., dyshohet se i shiste paratë e falsifikuara për rreth 15–20 për qind të vlerës së tyre nominale. Gjatë kontrollit të tij u gjet edhe një dokument identiteti në emër të një personi tjetër, ndërsa rezultoi se kishte një dënim të formës së prerë prej 9 vitesh e 3 muaj burgim.
I dyshuari tjetër, 34-vjeçari M.E.E., u arrestua në banesën ku dyshohet se kryhej një pjesë e prodhimit.
Të dyshuarit po hetohen për falsifikim të parave dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.


