Ish-shefja e SHISH-it, Vlora Hyseni është përfshirë sot në një polemikë me gazetaren Klodiana Lala në hyrjen e ambienteve të GJKKO-së para se të njihej me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”
Më pas ish-shefja e SHISH-it nuk iu përgjigj gazetarëve pse e kishte shkarkuar Albin Kurti dhe nëse kishte ndonjë koment për këtë, por u fut në ambientet e GJKKO-së.
Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar në një lidhje live gazetarja Klodjana Lala që e quajti sulm vulgar, shantazh:
“Ka zgjedhur të kundërsulmojë me gjuhë vulgare ndaj gazetarëve duke i shantazhuar ata për takime në hotele të ndryshme” tha Klodiana Lala në një lidhje live
“Se për cilat takime i referohet Vlora Hyseni, mbetet për t’u sqaruar kur të dalë, por ishte një akuzë e fortë e lëshuar dhe një shantazh ndaj gazetarëve”, u shpreh gazetarja Lala.
Ndërkohë për këtë incident në ambientet e GJKKO-së ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë. Në reagimin publik, AGSH-ja dënon deklaratat e Hysenit dhe i kërkon asaj që t’i tërheqë menjëherë, ndërsa i bën thirrje SPAK-ut që ta trajtojë me seriozitet episodin.
“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon me termat më të ashpër shantazhin dhe sulmet e të dyshuarës së SPAK, ish-shefes së SHISH-it Vlora Hyseni ndaj gazetares Klodiana Lala”, thuhet në reagim.
Sipas AGSH-së, personat nën hetim duhet të japin llogari përpara drejtësisë, ndërsa presioni apo shantazhi ndaj gazetarëve nuk mund të tolerohet.
“Çdo i dyshuar i drejtësisë duhet të japë llogari vetëm përpara drejtësisë, ndërsa shantazhet ndaj gazetarëve nuk mund të tolerohen”, vijon deklarata.
Asociacioni i kërkon gjithashtu Hysenit t’i tërheqë deklaratat dhe nxit Strukturën e Posaçme të shqyrtojë rastin.
“AGSH-ja i bën thirrje zonjës Hyseni që të tërheqë menjëherë deklaratat e saj, ndërsa e nxisim Strukturën e Posaçme që të shikojë me seriozitet këtë episod shantazhi nga ana e saj ndaj një gazetareje”, përfundon reagimi.


