Shtatë unione studentore kërkojnë rritjen e subvencionit për ushqim nga 140 në 200 denarë

Trup Kombëtar Studentor, përmes një kërkese të firmosur nga shtatë unione studentore në Maqedoninë e Veriut, i është drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, përkatësisht ministres Vesna Janevska, me iniciativën për rritjen e shumës ditore të subvencionuar për ushqimin e studentëve nga 140 në 200 denarë.

Në kërkesë thuhet se shuma prej 140 denarësh, e përcaktuar në vitin 2023, nuk është harmonizuar me inflacionin, ndonëse Ligji për ushqimin e subvencionuar studentor parashikon harmonizimin e saj pas përfundimit të çdo viti fiskal dhe para miratimit të buxhetit për vitin pasues.

Përfaqësuesit studentorë kërkojnë që harmonizimi vjetor të mos mbetet në varësi të vendimeve diskrecionale, por të zbatohet automatikisht, sipas një metodologjie të qartë dhe transparente.

Njëkohësisht, propozojnë që 200 denarë të përcaktohen si shumë e re bazë ditore, e cila më pas do të përshtatej çdo vit me inflacionin.

Sipas përllogaritjeve të paraqitura në dokument, duke marrë për bazë rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike gjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025, vlera prej 140 denarësh do të duhej të arrinte në rreth 169,28 denarë. Megjithatë, kërkesa për 200 denarë, siç sqarohet, nuk paraqitet vetëm si rezultat i një formule inflacioni, por si propozim për vendosjen e një baze të re, funksionale dhe më reale për studentët.

Rritja e propozuar është 60 denarë në ditë, përkatësisht 42,86 për qind. Nëse subvencioni shfrytëzohet gjashtë ditë në javë, mbështetja maksimale javore do të rritej nga 840 në 1.200 denarë.

Në dokument janë përllogaritur edhe implikimet e mundshme buxhetore. Duke u nisur nga rreth 30 mijë studentë përfitues dhe afërsisht 7,02 milionë ditë shfrytëzimi në vit, subvencionimi aktual kushton rreth 982,8 milionë denarë. Me rritjen e shumës në 200 denarë, shpenzimi vjetor do të arrinte në rreth 1,404 miliardë denarë, ose 421,2 milionë denarë më shumë.

Trupi Kombëtar Studentor kërkon që ndryshimi i Ligjit të zbatohet nga viti akademik 2026/2027, ndërsa Ministria e Arsimit dhe Shkencës ta publikojë metodologjinë dhe përllogaritjet për harmonizimin e shumës së deritanishme.
Gjithashtu kërkohet që Ministria, në koordinim me Qeverinë dhe Ministrinë e Financave, t’i ndërmarrë pa vonesë ndryshimet e nevojshme ligjore dhe buxhetore, ndërsa para miratimit të zgjidhjes përfundimtare të zhvillojë takim konsultativ me përfaqësuesit e trupave studentorë.

Sipas nënshkruesve të kërkesës, rritja e çmimeve e ka dobësuar ndjeshëm funksionin praktik dhe social të subvencionit studentor, ndaj shuma aktuale prej 140 denarësh nuk u përgjigjet më kostove reale të ushqimit.