Një situatë e pazakontë dhe e tensionuar ka kapluar Gjykatën Themelore të Kumanovës. Të punësuarit dhe pjesëtarët e sindikatës së kësaj gjykate kanë dalë në protestë publike për të ngritur zërin kundër sjelljeve të pahijshme dhe presionit sistematik nga kryetarja e gjykatës, Snezhana Maneva.
Sipas sindikalistëve, prej vitesh punonjësit përballen me një atmosferë linçuese, ndërsa veçanërisht janë shënjestruar gjyqtarët dhe punonjësit shqiptarë përmes fyerjeve me prapavijë etnike dhe fetare.
Kryetari i Sindikatës së UPOZ-it, Tërpe Dejanovski, gjatë fjalës së tij ka zbardhur disa nga fyerjet me të cilat përballen çdo ditë punonjësit e këtij institucioni të drejtësisë.
„Të marrë, kafshë, asgjë nuk dini, do t’ju djegë, do t’ju shkelë. Së pari do t’ju mbys, e pastaj do ta lë punën. Ju nga kjo gjykatë mund të shkoni vetëm me ndihmën e shpejtë… Këto fyerje tashmë disa vite i durojnë të punësuarit e Gjyqit Themelor në Kumanovë nga kryetarja Snezhana Maneva. Ajo i fyen të punësuarit edhe në baza nacionale e fetare, sidomos shqiptarët. Kjo është cekur edhe në raportin e Këshillit Gjyqësor të vitit 2023, ku njihet për përçarje, ndërsa gjyqtarët shqipt
arë i ofendon si të marrë, budallenj dhe të paaftë“, deklaroi Dejanovski, raporton gazetari i TVM2, Fatlum Aqifi.
Reagon kryetarja Maneva: Akuzat janë të pavërteta
Lidhur me protestën dhe akuzat e rënda të sindikalistëve, kryetarja e Gjykatës Themelore të Kumanovës, Snezhana Maneva, ka reaguar përmes një komunikate me shkrim, duke i hedhur poshtë pretendimet e punonjësve.
„Të theksuarit në protestën e sotme të Sindikatës se atmosfera e punës është çrregulluar nga ana ime me masa dhe sjellje joligjore ndaj të punësuarve, kinse janë joligjore dhe se kanë shkaktuar frikë e shqetësim, tërësisht janë të pasakta dhe të pavërteta“, thuhet në reagimin e Manevës.
Ajo ka insistuar se udhëheqjen e gjykatës e bën në përputhje të plotë me rregullat pozitive ligjore, Ligjin për Shërbim Gjyqësor dhe aktet e tjera normative që rregullojnë funksionimin e këtij institucioni.
Përkundër kësaj, sindikata paralajmëron se reagimet do të vazhdojnë deri në vendosjen e rendit ligjor dhe respektit ndaj dinjitetit të punonjësve në Gjykatën e Kumanovës.


