Selcuk Bayraktar e cilëson TEKNOFEST-in si “revolucion të vetëbesimit” në fjalimin e hapjes

Kryetari i Bordit Administrativ të Fondacionit të Ekipit të Teknologjisë të Turqisë (Fondacioni T3), njëherësh kryetar i Bordit të TEKNOFEST-it, Selcuk Bayraktar, në fjalimin e tij të hapjes së “TEKNOFEST-it Juglindor” e ka cilësuar festivalin si një “revolucion të vetëbesimit” që sfidon mentalitetin që thotë se “ne nuk mund ta bëjmë”, raporton Anadolu.

“TEKNOFEST-i është një revolucion i vetëbesimit. Është një rebelim kundër mentalitetit që thotë ‘ne nuk mund ta bëjmë’. Është një kundërshtim ndaj imitimit dhe pafuqisë së mësuar”, tha Bayraktar në fjalimin e hapjes së festivalit.

TEKNOFEST-i, festivali kryesor i aviacionit, hapësirës dhe teknologjisë në Turqi, sot hapi dyert për vizitorët në provincën juglindore Sanliurfa.

TEKNOFESTI Juglindor, një nga aktivitetet e festivalit që zhvillohet në juglindje të Turqisë, mbledh së bashku të apasionuarit pas teknologjisë, investitorët e rinj dhe mijëra vizitorë për shfaqje, ekspozita dhe finalet e garave teknologjike në 14 kategori, nga e mërkura deri më 4 tetor.

Duke e cilësuar Sanliurfën si “pikën zero të historisë”, Bayraktar tha se ajo ishte ndër trojet ku njerëzimi kaloi në jetesën e qëndrueshme, zhvilloi bujqësinë dhe hodhi themelet e qytetërimit.

 

– Më shumë se 1,6 milion të rinj aplikuan

Duke theksuar se ky është festivali i 15-të i TEKNOFEST-it që nga nisja e tij në vitin 2018, Bayraktar tha se “fidanishtja e TEKNOFEST-it që mbollëm në vitin 2018 sot është shndërruar në një lëvizje të madhe teknologjike”.

Ai tha se në festival po marrin pjesë të rinj nga të 81 provincat e Turqisë dhe 97 vende, duke shtuar se më shumë se 730 mijë ekipe dhe mbi 1,6 milion të rinj kanë aplikuar në garat teknologjike në 62 kategori.

“Këto nuk janë thjesht shifra. Ato janë historia e ndryshimit të Turqisë”, tha Bayraktar.

Ai theksoi pjesëmarrjen e të rinjve nga juglindja e Turqisë, duke shtuar se fëmijët në këtë rajon po mësojnë inteligjencën artificiale dhe robotikën në Punëtoritë Teknologjike DENEYAP.

Duke iu referuar klimës së nxehtë të rajonit, Bayraktar tha: “Kur erdhëm në Urfa, kuptuam edhe diçka tjetër. Nëse një sistem funksionon pa probleme në mesditë në vapën e Urfës, ai do të funksionojë kudo në botë, madje edhe në hapësirë”.

 

– “Nisma Kombëtare e Teknologjisë nuk është vetëm në qiell”

Bayraktar tha se vetëbesimi forcon prodhimin, prodhimi forcon teknologjinë, ndërsa teknologjia krijon bazën për pavarësinë.

“Prandaj ekziston Nisma Kombëtare e Teknologjisë”, tha ai.

“Nisma Kombëtare e Teknologjisë nuk është vetëm në qiell. Ajo është në fusha, fabrika, laboratorë, spitale, punishte dhe universitete”, shtoi ai.

Ai tha se nisma synon t’i shndërrojë idetë në vlerë ekonomike, ëndrrat në prodhim, projektet në punësim dhe teknologjinë në mirëqenie për Turqinë.

“Qëllimi ynë është teknologjia e avancuar, prodhimi vendas dhe eksportet me vlerë të shtuar. Ne duam të ndërtojmë një ekosistem të sipërmarrjes që do të forcojë pavarësinë e plotë të vendit tonë, të udhëhequr nga brezi i TEKNOFEST-it”, tha Bayraktar.

 

– Teknologjitë bujqësore në focus

Më tej, Bayraktar gjithashtu theksoi rëndësinë strategjike të prodhimit bujqësor, duke u shprehur se ushqimi është bërë një çështje më kritike se kurrë më parë.

“Ne nuk mund ta shohim më bujqësinë thjesht si një sektor tradicional. Bujqësia duhet të bëhet një nga fushat e teknologjisë së lartë të së ardhmes”, tha ai.

Ai theksoi teknologjitë bujqësore kombëtare të gjeneratës së re, zgjidhjet e mbështetura nga inteligjenca artificiale, shkencën gjenetike, efikasitetin dhe prodhimin e qëndrueshëm si fusha prioritare.

“Derisa zgjidhjet e zhvilluara nga të rinjtë takohen me këto toka pjellore, e ardhmja jonë do të bëhet më e fortë dhe më e begatë”, tha ai.

 

– Sjellja e shkencës së bashku me ndërgjegjen

Bayraktar foli gjithashtu për transformimin e shpejtë të nxitur nga inteligjenca artificiale, duke u shprehur se kjo teknologji mund të përshpejtojë procesin e të nxënit dhe kërkimin shkencor, por duhet parë si një mjet që zgjeron potencialin njerëzor dhe jo si një udhërrëfyes që zëvendëson gjykimin njerëzor.

“Teknologjia është një mjet. Është njeriu ai që përcakton drejtimin e saj dhe duhet të marrë vendimin përfundimtar. Qëllimi ynë nuk është vetëm të zhvillojmë teknologjinë, por të përcaktojmë se çfarë lloj fryme dhe drejtimi do t’i japim asaj”, tha Bayraktar.

“Ne duam ta përdorim teknologjinë në të mirë të njerëzimit. Duam ta bashkojmë shkencën me ndërgjegjen, inteligjencën me moralin dhe fuqinë me drejtësinë”, shtoi ai