Raporti i rremë i IA-së për pak sa nuk nisi luftë mes SHBA-së dhe Kinës: Operacioni u anulua në momentin e fundit

Një raport i rremë inteligjence, i përpiluar me ndihmën e Inteligjencës Artificiale, për pak sa nuk e çoi ushtrinë amerikane drejt një operacioni kundër një anijeje kineze në Lindjen e Mesme. Sipas një raportimi të CNN, incidenti rrezikoi të shkaktonte një krizë të rëndë mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, e cila mund të përshkallëzohej në një konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak. Raporti iu dorëzua ushtrisë amerikane gjatë pranverës, në periudhën kur SHBA-të ishin të përfshira në luftën me Iranin. Në të pretendohej se një anije kineze që ndodhej në Lindjen e Mesme transportonte komponentë të lidhur me një program për zhvillimin e armëve bërthamore.

Ushtria amerikane reagoi duke hartuar plane për kapjen e anijes. Sipas burimeve të cituara nga CNN, forca të armatosura po përgatiteshin për të hipur në anije, ndërsa avionë ushtarakë amerikanë kishin nisur të ngriheshin në ajër.

 

Megjithatë, pak para se operacioni të niste, zyrtarët e shqyrtuan më nga afër informacionin dhe zbuluan se raporti ishte përpiluar me ndihmën e një mjeti të Inteligjencës Artificiale, i cili kishte identifikuar gabimisht ngarkesën e anijes. Sipas CNN, ende nuk dihet se çfarë përmbante në të vërtetë ngarkesa që ishte interpretuar gabimisht nga sistemi. Një burim e përshkroi raportin si “plotësisht të rremë”, duke theksuar se ai “pothuajse nisi një luftë”, pasi një operacion amerikan kundër një anijeje kineze mund të kishte shkaktuar një përshkallëzim serioz ushtarak.