Mungesa e prokurorëve publikë, kushtet e papërshtatshme hapësinore dhe financimi i kufizuar janë sfidat kryesore për Prokurorinë Publike, vlerësoi kryeprokurori Nenad Saveski, gjatë prezantimit të raportit vjetor.
Ai theksoi se, për shkak të mungesës së kuadrit, një prokuror shpesh punon për tre persona, gjë që ndikon në shpejtësinë e procedurave.
Saveski rikujtoi se Ligji për Prokurorinë Publike prej kohësh ka mbetur i bllokuar në procedurë parlamentare dhe bëri apel për miratimin e tij të shpejtë, duke respektuar rekomandimet e Komisionit të Venecias, veçanërisht në pjesën e përqindjes së buxhetit që duhet të ndahet për Prokurorinë.
Sipas Saveskit, rregullorja e re për zgjedhjen e kreut të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion sjell më shumë transparencë në procesin zgjedhor.


