Martesat bien, divorcet rriten, ndërsa dallimet etnike në zgjedhjen e partnerit mbeten të theksuara. Të dhënat e statistikave zyrtare tregojnë një ndryshim të dukshëm të strukturës familjare në Maqedoninë e Veriut.
Në vitin 2025, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 10.507 martesa. Shumica dërrmuese janë lidhur brenda së njëjtës përkatësi etnike, ndërsa martesat e përziera përbëjnë zakonisht vetëm 6–10 për qind të totalit.
Te maqedonasit, në vitin 2025 janë regjistruar 2.623 martesa maqedonas-maqedonase, ndërsa te shqiptarët 2.301 martesa shqiptar-shqiptare.
Por ndryshimi bëhet edhe më i dukshëm kur krahasohen vitet.
Në vitin 2020, maqedonasit kishin regjistruar 4.701 martesa brenda komunitetit, ndërsa në vitin 2025 vetëm 2.623. Edhe te shqiptarët ka rënie: nga 3.829 martesa në vitin 2020, në 2.301 në vitin 2025.
Në të njëjtën kohë, divorcet janë rritur. Te maqedonasit, nga 981 divorce në vitin 2020, numri ka shkuar në 1.036 në vitin 2025. Te shqiptarët, divorcet janë rritur nga 260 në 341.
Martesat e përziera mbeten të rralla
Në vitin 2025, 29 maqedonas janë martuar me serbe, ndërsa 24 me shqiptare. Në anën tjetër, 36 maqedonase janë martuar me shqiptarë, 19 me turq dhe 16 me serbë.
Te shqiptarët, martesat e përziera janë edhe më të kufizuara. 38 shqiptarë janë martuar me maqedonase, ndërsa vetëm 24 shqiptare kanë zgjedhur maqedonas për bashkëshort. Në 2025 janë regjistruar edhe 7 martesa shqiptar-turke dhe 7 shqiptar-boshnjake.
Një tregues interesant është komuniteti serb: nga 18 martesa me dhëndër serb, 16 kanë qenë me maqedonase, ndërsa vetëm një me serbe.
Një sinjal demografik alarmues
Shifrat tregojnë jo vetëm ndryshimin e modeleve të martesës, por edhe një tkurrje të ndjeshme të krijimit të familjeve.
Rënia e martesave, e shoqëruar me rritjen e divorceve, paraqet një nga ndryshimet më të dukshme sociale të pesë viteve të fundit.
Ndërkohë, martesat e përziera etnike mbeten relativisht të pakta dhe vazhdojnë të ndikohen nga përkatësia kulturore, fetare dhe demografike e komuniteteve.


