Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka njoftuar se do të propozojë dy projektligje që parashikojnë masa ndaj personave që, sipas tij, shpifin ndaj ushtarëve izraelitë. Nisma vjen pas debatit të shkaktuar nga dokumentari “NAZA” mbi operacionet ushtarake në Gaza.
Netanyahu njoftoi përmes rrjeteve sociale se njëri prej projektligjeve do të parashikojë mundësinë e heqjes së shtetësisë për personat që, sipas tij, shpifin ndaj ushtarëve të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), ndërsa propozimi tjetër synon rritjen deri në 20-fish të dëmshpërblimit në rastet e shpifjes.
Nisma vjen pas polemikave rreth dokumentarit “NAZA”, i cili përmban dëshmi anonime të pjesëtarëve të ushtrisë dhe inteligjencës izraelite dhe ngre akuza për veprimet e ushtrisë gjatë luftës në Gaza. Ushtria izraelite i ka kundërshtuar pretendimet e paraqitura në film.
“Do t’i godasim edhe në xhep, edhe në shtetësi, sepse nuk e kanë vendin mes nesh”, deklaroi Netanyahu.
Dokumentari ka shkaktuar debat të gjerë në Izrael, ndërsa autorët e tij janë përballur me kritika nga zyrtarë të qeverisë. Propozimet e Netanyahut duhet të kalojnë procesin parlamentar përpara se të mund të hyjnë në fuqi.


