Shtetet e Bashkuara do të ndajnë 267 milionë dollarë shtesë për të luftuar epideminë e Ebolës që ka prekur Republikën Demokratike të Kongos.
Njoftimi u bë, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ndërsa Departamenti amerikan i Shtetit bëri të ditur se, deri më tani, Uashingtoni ka dhënë 887 milionë dollarë në ndihmë të drejtpërdrejtë shëndetësore dhe humanitare për përballimin e shpërthimit të sëmundjes.
Sipas Departamentit të Shtetit, SHBA-ja është kontribuuesi më i madh në përpjekjet për frenimin e epidemisë.
Diplomacia amerikane u bëri gjithashtu thirrje vendeve që kanë mundësi financiare të forcojnë kontributin e tyre dhe të ndajnë barrën për përballimin e kësaj krize, të cilën e cilësoi si një emergjencë shëndetësore.
Në fund të gushtit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje për 1.1 miliardë dollarë për zbatimin e një plani ndihme për përballimin e epidemisë.
Sipas organizatës Mjekë pa Kufij, epidemia nuk po tërhiqet, por po përhapet në zona të tjera.
Republika Demokratike e Kongos po përballet me shpërthimin e 17-të të Ebolës në historinë e saj, i cili, brenda disa muajsh, është bërë një nga më vdekjeprurësit që ka përjetuar vendi.
Sipas shifrave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kongos, shpërthimi ka shkaktuar deri tani 3,639 viktima, nga 7,541 raste të konfirmuara në laborator.


