Modernizohet Aeroporti i Ohrit, TAV investon 2.7 milionë euro dhe hap një kapitull të ri

TAV Maqedoni, pjesë e TAV Airports dhe Grupit ADP, ka inauguruar zyrtarisht pjesën e modernizuar të Aeroportit “Shën Apostull Pavli” në Ohër, pas një investimi prej 2.7 milionë eurosh që synon përmirësimin e kushteve për udhëtarët dhe punonjësit, si dhe rritjen e kapaciteteve operacionale.

Me këtë investim janë rinovuar dhe përshtatur 3.364 metra katrorë të terminalit, janë zgjeruar zonat e check-in-it, kontrollit të sigurisë dhe pasaportave, portat e imbarkimit, hapësirat për marrjen e bagazheve, si dhe zonat e mbërritjeve dhe nisjeve. Gjithashtu është zgjeruar edhe ndërtesa administrative, duke krijuar kushte më të mira pune për stafin, Policinë Kufitare dhe Doganën.

Drejtori Ekzekutiv i TAV Airports, Serkan Kaptan, deklaroi se kompania nuk investon vetëm në aeroporte, por edhe në zhvillimin e rajoneve dhe lidhjen e tyre me Evropën dhe botën.

Ai theksoi se deri më tani janë investuar afro 300 milionë euro në aeroportet e Maqedonisë së Veriut, ndërsa trafiku ajror dhe lidhjet ndërkombëtare janë rritur më shumë se katërfish. Sipas tij, aeroportet e vendit në vitin 2026 renditen ndër më të shpejtët në Evropë për nga ritmi i rritjes.

Modernizimi vjen në një periudhë me rezultate rekord për aeroportin e Ohrit. Gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026 janë shërbyer 232.421 pasagjerë, ose 26.5 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Vetëm gjatë muajit gusht aeroporti regjistroi 57.239 udhëtarë, që paraqet rritje prej 33.8 për qind, ndërsa janë realizuar 425 operacione ajrore, ose 15.2 për qind më shumë se në gusht të vitit 2025.

Në sezonin veror, Aeroporti i Ohrit është i lidhur me 17 destinacione përmes tetë kompanive ajrore, ndërsa korriku i vitit 2026 është vlerësuar si muaji më i suksesshëm në historinë e këtij aeroporti.