Mes presingut, golave dhe shpejtësisë, Barcelona gjeti qetësinë e Rodrit. Njeriu që po i mëson skuadrës së Flick artin e kontrollit

Teksa Barcelona ndiqte me interes mundësinë për të transferuar Julián Álvarez, drejtori sportiv Deco përfitoi nga pasiguria e Real Madridit dhe lëvizi për të siguruar shërbimet e Rodrit.

Transferimi i mesfushorit spanjoll, 30 vjeç, për shkak të kostos së tij, dukej se mund të kufizonte hapësirat financiare të Barcelonës për të afruar një numër 9 të nivelit të lartë.

Në fund, katalanasit e mbyllën merkaton duke plotësuar repartin ofensiv me Gabriel Jesus, ndërsa Rodri, pas vetëm një ndeshjeje si titullar, ka dhënë sinjale të forta se mund të jetë pikërisht lojtari që i mungonte skuadrës së Hansi Flick.

Rodri u afrua në Barcelonë edhe për eksperiencën që mund t’i sjellë një skuadre me shumë lojtarë të rinj. Një tjetër objektiv i tij është të ndihmojë në rritjen e Marc Bernal, diçka që edhe Hansi Flick e kishte theksuar publikisht.

Pas dy paraqitjeve të para, trajneri gjerman vendosi ta aktivizojë nga minuta e parë në transfertën ndaj Valencias në Mestalla. Dhe Rodri nuk zhgënjeu.

Paraqitja e tij ishte e sigurt dhe e pastër, ndërsa njëkohësisht hodhi poshtë edhe dyshimet që ekzistonin rreth mënyrës se si mund të funksiononte në mesfushë së bashku me Pedrin, sidomos në perspektivën e kombëtares spanjolle.

“Gjithmonë thuhet se me Rodrin nuk funksionojmë së bashku, por e vërteta është se është shumë komode të luash me të. Do të kuptohemi shumë mirë”, deklaroi Pedri pas ndeshjes.

Në minutat e para të takimit, dy mesfushorët ndryshonin vazhdimisht distancën mes tyre. Në përgjithësi, Rodri pozicionohej më pranë mbrojtësve dhe merrte pjesë në ndërtimin e aksioneve që nga pas, ndërsa Pedri spostohej disa metra më lart, në zonën e mesfushës.

Megjithatë, rolet nuk ishin fikse. Në momente të ndryshme ata shkëmbyen pozicionet dhe vazhdimisht komunikuan me njëri-tjetrin.

Rodri ishte gjithashtu në kontakt të vazhdueshëm me qendërmbrojtësit, duke kontrolluar distancën mes reparteve dhe duke përcaktuar momentin e duhur për të dalë në presing. Statistikat e pasimeve tregojnë qartë lidhjen mes dy lojtarëve: Pedri i dha Rodrit 19 pasime, ndërsa Rodri ia ktheu me 16.

Barcelona e Hansi Flick është ndërtuar mbi një futboll intensiv dhe ofensiv. Në sezonin e parë, skuadra surprizoi Europën me efikasitetin dhe urinë e saj për gola. Në sezonin e dytë, kjo filozofi vazhdoi, ndërsa tani Flick kërkon që ekipi të bëhet edhe më i pjekur.

Pikërisht këtu hyn në lojë Rodri. Pas fitores 0-5 ndaj Valencias, Flick pranoi se skuadra duhet të mësojë të kontrollojë më mirë ndeshjet kur rezultati është i sigurt. “Duhet të kontrollojmë më shumë ndeshjen dhe të ruajmë energjitë”, ishte në thelb mesazhi i trajnerit gjerman.

Edhe pas sfidës me Rayo Vallecanon, Flick kishte theksuar nevojën që Barcelona të “pushojë me topin” kur është në avantazh. Rodri duket si profili ideal për këtë detyrë.

Një prej aksioneve më domethënëse në Mestalla erdhi në pjesën e parë. Mesfushori mori topin me shpinë nga porta, pranë zonës së tij, rezistoi ndaj presionit të kundërshtarit, u kthye dhe më pas e çliroi aksionin me një pasim të gjatë.

Ai është, në njëfarë mënyre, kundërpesha e një Barcelona-je që ka dëshirë të madhe për të vrapuar. Mund të duket paradoksale, por pikërisht lojtari që luan me më shumë qetësi dhe kontrollon ritmin e ndeshjes u jep futbollistëve ofensivë mundësinë për të vrapuar më mirë.

Edhe goli i Raphinhas nisi nga një ndërhyrje e Rodrit, i cili fitoi topin dhe më pas dha pasimin në hapësirë. Hansi Flick nuk i kurseu elozhet për mesfushorin spanjoll.

“Gjithçka që bën ka kuptim”, deklaroi trajneri i Barcelonës, duke shtuar se prania e Rodrit është gjithashtu një lajm i mirë për Marc Bernal.

“Rodri është i jashtëzakonshëm. Jo vetëm në fushë, por edhe në dhomën e zhveshjes. Ai është një lider absolut”, u shpreh Flick.

Ata që e njohin më mirë mesfushorin spanjoll thonë se, pas nisjes së sezonit, atij zakonisht i duhen disa javë për të arritur ritmin optimal fizik dhe sportiv.

Nëse paraqitja në Mestalla është vetëm fillimi, Barcelona duket se mund të ketë gjetur një pjesë shumë të rëndësishme të mozaikut të saj.

Rodri nuk ishte emri që dominonte parashikimet e merkatos, por pas vetëm një starti si titullar, ai po tregon se mund të jetë një nga transferimet më të rëndësishme të Barcelonës.