Kryetari i Komunës së Gostivarit dhe zyrtari i lartë i Aleancës për Shqiptarët, Valbon Limani, ka mohuar kategorikisht se ka pasur bisedime apo ofertë konkrete për kalimin e tij në VLEN.
Në një intervistë sonte për Televizionin Alsat, Limani deklaroi se nuk e konsideron veten një “politikan tregtar” që mund të kalojë nga një subjekt politik në një tjetër dhe theksoi se aktualisht është i angazhuar në përgatitjet për Kongresin e Aleancës për Shqiptarët.
“Unë nuk jam politikan tregtar që mund të kalojë nga një parti te një parti tjetër politike. E përsëris se nuk ka pasur asnjë bisedim për kalimin tim në VLEN”, deklaroi Limani.
Ai sqaroi se, si kryetar i Këshillit organizativ për organizimin e Kongresit të Aleancës për Shqiptarët, së bashku me ekipin është i fokusuar në organizimin e Kongresit dhe në mbarëvajtjen e tij.
“Unë, si kryetar i Këshillit organizativ për organizimin e Kongresit të Aleancës për Shqiptarët, së bashku me ekipin punojmë që ky Kongres të jetë i suksesshëm. Gjithsesi, pas Kongresit, si çdo parti politike, do të kemi, siç kemi pasur, komunikim me të gjitha partitë politike në vend”, tha ai.
Limani mohoi gjithashtu se nga VLEN i është bërë ndonjë ofertë konkrete për të kaluar në këtë grupacion politik.
“Për mua nuk ka pasur ofertë konkrete nga VLEN-i. Prapë do ta përsëris dhe po e përsëris se në asnjë moment nuk ka pasur asnjë bisedë konkrete lidhur me këtë”, u shpreh Limani.
Kryetari i Gostivarit tha se qytetarët mund të presin transparencë nga ana e tij për çdo zhvillim të ardhshëm politik, duke theksuar se do t’i informojë në çdo kohë për veprimet politike që mund të ndërmarrë.
“I siguroj qytetarët se në çdo kohë, si përfaqësues dhe i zgjedhuri i tyre për kryetar të Komunës së Gostivarit, gjithmonë do të jem transparent për të gjitha veprimet politike për të cilat mund të bëj”, deklaroi Limani.
Duke iu referuar komunikimit me përfaqësues të VLEN-it, Limani tha se kontaktet me zyrtarë të këtij grupacioni kanë qenë vetëm në kuadër të çështjeve që lidhen me Komunën e Gostivarit.
“Jashtë bisedave për çështjet e komunës nuk kemi pasur asnjë bisedë tjetër me ndonjë zyrtar nga VLEN”, theksoi ai.
Deklaratat e Limanit vijnë në një periudhë kur në opinionin publik janë ngritur zëra për një lëvzije të mundshme të tij politike, të cilat ai i ka mohuar duke përsëritur se nuk ka pasur bisedime konkrete për kalimin e tij në VLEN.


