Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov, ka njoftuar se do të dorëzojë kallëzim penal në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ndaj Jon Frçkovskit dhe personave të tjerë, pas përplasjes publike mes tyre lidhur me akuzat për përdorim të narkotikëve.
Lefkov tha se përmes kallëzimit kërkon që institucionet kompetente të hetojnë se çfarë qëndron pas fotografive të publikuara në opinion dhe deklaratave të Frçkovskit lidhur me të.
Ai theksoi se kërkon të shqyrtohet nëse ka elemente të veprave penale të përcaktuara në nenet 215 dhe 216 të Kodit Penal, si dhe nëse ekzistojnë baza për zbatimin e nenit 364 për mosraportim të një vepre penale.
Lefkov i mohoi kategorikisht akuzat se ka përdorur narkotikë.
“Për akuzat tuaja, Jon, jam kategorik. Nuk kam dobësi as ndaj alkoolit, as ndaj narkotikëve. Asnjëherë nuk kam përdorur substanca narkotike dhe kjo është fakt”, deklaroi Lefkov.
Ai më tej akuzoi Frçkovskin dhe persona që, sipas tij, janë rreshtuar rreth Venko Filipçes, duke pretenduar se përmes shpifjeve dhe sulmeve po synojnë rikthimin në pushtet.
“Ju u morët me shpifje dhe akuza, duke menduar se kështu do të ktheheni në pushtet dhe do të vazhdoni të përdorni narkotikë nëpër zyra. Këtë nuk do t’jua lejojë populli, Jon, jo unë”, tha Lefkov.
Sipas tij, përballja nuk duhet të mbetet më vetëm në rrjetet sociale, por duhet të kalojë në duart e institucioneve.
“Me këtë Qeveri nuk ka lojëra. Nëse institucionet konstatojnë se është kryer vepër penale dhe se ka persona përgjegjës, do të ketë përgjegjësi para ligjit”, deklaroi Lefkov.
Në fund, ai tha se kallëzimi penal shënon kalimin e çështjes nga përplasja publike në procedurë institucionale, duke shtuar se “vjen kohë e vështirë për ata që jetojnë me dhe nga veset”.


