Kurti kundër zgjedhjeve, Hamza paralajmëron ndërrim qëndrimesh për presidentin

Ndërsa u kanë mbetur vetëm 10 ditë për të vendosur nëse do ta çojnë ose jo vendin në zgjedhje, partitë parlamentare ende nuk kanë arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit. Kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka thënë se organizimi i zgjedhjeve të reja për të nxjerrë sërish një Kuvend, që sipas tij nuk i jep vendit presidentin, është i panevojshëm. Ndryshe nga Kurti, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza nuk ka qenë i prerë për çështjen e presidentit, por ka lënë të kuptohet se PDK-ja i ndërron dhe i përshtat qëndrimet për çështjet që janë me interes për të ardhmen e vendit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se dështimi për zgjedhjen e presidentit të ri mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja, por ka theksuar se një skenar i tillë është i panevojshëm.

Kurti ka thënë se Kuvendi aktual e ka mandatin dhe përgjegjësinë për të zgjedhur presidentin apo presidenten e re, duke nënvizuar se në Kosovë nuk zhvillohen zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale.

“Nëse nuk do të arrijmë të zgjedhim president të ri, do të shkojmë në zgjedhje. Zgjedhjet e reja janë të panevojshme. Kemi Kuvend dhe ky Kuvend mund t’i japë vendit president ose presidente. Duhet ta kuptojmë se në Kosovë nuk ka zgjedhje presidenciale. Pse të shkojmë sërish në zgjedhje për ta konstituuar Kuvendin që s’mund të zgjedhë president”, ka thënë ai në një deklarim në takimin e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, raporton EO.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që presidenti i ri i Kosovës duhet të zgjidhet deri më së largu më 6 tetor. Në njoftimin për vendim për kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, Kushtetuesja ka konstatuar se më 8 gusht ka nisur të rrjedhë afati prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit. Gjykata ka konstatuar se kalimi i afatit prej 30 ditësh për konstituim e ka për pasojë nisjen e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentin.

E për çështjen e presidentit ka folur edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza. Ai ka thënë se zhvillimet e fundit kanë krijuar “rrethana të reja” dhe se për këtë arsye partia e tij mund t’i përshtatë qëndrimet për çështjet që lidhen me të ardhmen e shtetit, duke iu referuar çështjes së presidentit. Hamza ka deklaruar se situata aktuale nuk duhet parë përmes qëndrimeve të së kaluarës, por në funksion të interesave të shtetit dhe të ardhmes së tij.

“Jemi në rrethana të reja, në gjendje në të cilën s’ka të bëjë me të kaluarën, ka të bëjë me individë, ka të bëjë me shtetin dhe të ardhmen e shtetit. Dhe mbi bazën e këtyre rrethanave të reja, ne normalisht i ndërrojmë dhe i përshtatim qëndrimet tona për çështjet të cilat kanë të bëjnë me të ardhmen e perspektivën e shtetit”, ka thënë Hamza pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së.

Ai ka theksuar se në situata të tilla është e nevojshme që të ketë takime dhe bashkëbisedim mes akterëve politikë.

“Është normale që në këto situata kaq të rëndësishme të ketë takime. Por s’mund të flas për situata hipotetike”, ka deklaruar ai kur u pyet nëse do ta votonin një kandidat të Vetëvendosjes për president.

Zgjedhjet e 7 qershorit të këtij viti u shkaktuan pikërisht për shkak të dështimit të partive për t’u dakorduar për emrin e presidentit të ri. Pas 7 qershorit, partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje kërkoi shtyrjen e seancës konstituive me arsyetimin se pa një marrëveshje për presidentin, konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë nuk shmangin zgjedhjet.

Kryetari i saj, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, pas disa takimesh njoftuan se janë dakorduar për emrin e Bekim Sejdiut për president. Por marrëveshja u kundërshtua nga gjashtë deputetë të LDK-së. Ndërkohë, PDK-ja pati qëndrim të prerë për qëndrim në opozitë dhe nuk diskutoi se VV-në për ndonjë emër.