Gazetari Bahri Cani ka reaguar për rezultatet e fundit të Gjermanisë në testimet ndërkombëtare PISA, duke theksuar se vendi ka regjistruar performancën më të dobët që nga fillimi i këtyre studimeve, 25 vite më parë.
Sipas Canit, rreth një në tre nxënës 15-vjeçarë në Gjermani nuk arrin nivelin bazë të kompetencës në matematikë dhe lexim, ndërsa në shkencë kjo shifër është rreth një në katër.
Testimi PISA vlerëson nxënësit 15-vjeçarë në më shumë se 90 vende, duke matur jo vetëm njohuritë e tyre, por edhe aftësinë për t’i zbatuar ato në situata praktike. Ndër të tjera, nxënësit testohen në kuptimin e teksteve, interpretimin e grafikëve dhe informacionit, si dhe zgjidhjen e problemeve të përditshme.
Cani thekson se ekspertët kanë nisur analizimin e faktorëve që kanë ndikuar në këto rezultate. Ndër shkaqet e mundshme ai përmend mungesën e stafit mësimor, numrin e lartë të fëmijëve me origjinë të huaj, faktorët socialë, përfshirjen e pamjaftueshme të prindërve, pasojat e pandemisë në ndjekjen e mësimit, si dhe përdorimin e tepërt të pajisjeve teknologjike.
Postimi i plotë:
“Kurrë më keq nuk ka qenë Gjermania në studimet e PISA-s. Po pse?
Një në tre të rinj në shkollat gjermane kanë vështirësi me matematikën dhe leximin. E vështirësi të mëdha kanë edhe tek kuptimi i leximit.
Të dhënat janë tronditëse: Në matematikë, lexim dhe shkencë, performanca e të rinjve në Gjermani është më e keqja që ka qenë ndonjëherë, thonë ekspertët.
Studimi i PISA-s teston 15-vjeçarët në të gjithë botën në më shumë se 90 vende nëse ata mund të aplikojnë njohuritë e tyre. Për shembull, të kuptuarit e një email-i më të gjatë dhe të kuptuarit se çfarë pritet prej tyre.
Testohen edhe krahasimet e çmimeve dhe interpretimet e sakta të informacionit nga një grafik. Çdo i treti 15-vjeçarë në Gjermani nuk e arrin nivelin bazë të kompetencës në lexim dhe matematikë, ndërsa në shkencë, është afërsisht një në katër.
Performanca në të tre fushat është pra në nivelin e saj më të ulët që nga fillimi i studimeve PISA 25 vjet më parë.
Ekspertët tani kanë filluar analizat e këtij rezultati, por ndër shkaqet me siguri që janë mangësitë në personelin e mësuesve, numri i madh i fëmijëve me origjinë të huaj, gjendja sociale, mosangazhimi i prindërve në kohën e duhur, problemet që këta fëmijë kanë pasur me ndjekjen e mësimeve në kohën e pandemisë, por edhe përdorim i tepërt dhe mbështetja vetëm tek pajisjet teknike – si telefona, kompjuterë etj”, ka shkruar Cani.


