Prodhuesi turk i industrisë së mbrojtjes, Korporata e Industrisë Mekanike dhe Kimike (MKE), dhe grupi polak i industrisë së mbrojtjes Polska Grupa Zbrojeniowa (PGZ) nënshkruan të enjten memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në sistemet e mbrojtjes ajrore, njoftoi MKE-ja, transmeton Anadolu.
Marrëveshja u nënshkrua gjatë Ekspozitës së 34-t Ndërkombëtare të Industrisë së Mbrojtjes, MSPO, e mbajtur në Kielce të Polonisë.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë zëvendësministri turk i Mbrojtjes, Musa Heybet, dhe ambasadori i Turqisë në Varshavë, Rauf Alp Denktas.
Sipas memorandumit, MKE-ja dhe PGZ-ja do të kryejnë studime të përbashkëta për integrimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër veprimi, veçanërisht zgjidhjeve jokinetike që neutralizojnë kërcënimet pa përdorimin e municioneve.
Bashkëpunimi synon të adresojë boshllëqet në kapacitetet e sistemeve ekzistuese të mbrojtjes ajrore të kompanive dhe të përmirësojë ndërveprueshmërinë ndërmjet platformave të ndryshme.
Marrëveshja mbulon tregun turk dhe atë polak, si dhe destinacione të mundshme të eksportit. Të dyja kompanitë do të bashkojnë kapacitetet e tyre ekzistuese për të zhvilluar zgjidhje të përbashkëta të përshtatura për kërkesat e ndryshme të përdoruesve.
Memorandumi shënon partneritetin e dytë evropian të MKE-së që përfshin sistemin e mbrojtjes ajrore në distancë të afërt Tolga.
MKE-ja nënshkroi në fillim të këtij viti një marrëveshje me kompaninë me bazë në Hungari, HT Division, për integrimin e Tolgas në automjete tokësore pa pilot.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, sistemi i armatimit 20-milimetërsh i Tolga-s u integrua në automjetin tokësor pa pilot Katica 6×6, të zhvilluar nga HT Division. Integrimi u prezantua në Ekspozitën e Industrisë së Mbrojtjes Eurosatory 2026 në Paris në qershor.
Marrëveshja e fundit me PGZ-në zgjeron në Poloni rrjetin e bashkëpunimit evropian të MKE-së për sistemin Tolga.
MKE-ja po prezanton gjithashtu një sërë produktesh dhe kapacitetesh, përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore dhe sistemet tokësore, si dhe zgjidhje për municionet, për delegacionet ndërkombëtare dhe profesionistët e industrisë në MSPO, një nga ekspozitat kryesore të industrisë së mbrojtjes në Evropën Lindore.


