Një betejë ligjore e papritur ka shpërthyer mes këngëtares së njohur Dua Lipa dhe gjigantit teknologjik Samsung, e cila ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe publikut. Padia prej 15 milionë dollarësh e ngritur nga Lipa lidhet me përdorimin e paautorizuar të imazhit të saj në paketimin e një produkti të kompanisë.
Avokatët e Samsung kanë kërkuar që gjykata të rrëzojë këtë padi, duke argumentuar se këngëtarja nuk ka asnjë bazë ligjore për të vazhduar me këtë çështje. Sipas tyre, nuk ka prova që sugjerojnë se Dua Lipa mbështet ose promovon televizorët e kompanisë.
“Fotografitë e përdorura thjesht ilustrojnë ndërfaqen e televizorëve, duke treguar aplikacionet dhe përmbajtjen që mund të gjendet në to,” kanë deklaruar avokatët e Samsung në një parashtresë të dorëzuar në gjykatë.
Çështja ka të bëjë me disa kuti televizorësh Samsung që përmbajnë një imazh të Dua Lipës, i cili shfaqet në promovimin e kanalit Xite Hits, pjesë e shërbimit Samsung TV Plus. Në paketim janë të pranishme gjithashtu logot e MLB, Fox Sports dhe serialit “The First 48”.
Samsung kishte deklaruar më herët se kishte marrë “siguri të qartë” nga një prej partnerëve të përmbajtjes se leja për përdorimin e imazhit ishte siguruar. Kompania thekson se fotografia e Dua Lipës ishte përdorur për të paraqitur përmbajtjen e partnerëve të saj, e cila ofrohet përmes televizorëve Samsung.
Padia ndaj Samsung Electronics është dorëzuar nga ekipi ligjor i Dua Lipës në një gjykatë federale në Kaliforni në muajin maj. Avokatët e këngëtares pretendojnë se kompania kishte vazhduar ta përdorte imazhin e saj edhe pas disa kërkesave për ndalimin e përdorimit.
/Prive By Liberta Spahiu



