‘Do të tmerrohesha po ta dënonin Thaçin’, çfarë kishte deklaruar Rubin para aktgjykimit (VIDEO)

Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, kishte deklaruar se do të ishte i tmerruar nëse ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të dënohej nga Gjykata Speciale në Hagë.

Në një intervistë të mëparshme për emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, Rubin kishte thënë se një dënim i Thaçit do t’i shkaktonte dëm të madh drejtësisë ndërkombëtare.

“Fillimisht, mendoj se e dini që unë s’jam më pjesë e qeverisë së SHBA-së. Jam larguar në janar, kur u zgjodh presidenti Trump. Në periudhën para janarit do të mund të flisja edhe në emër të SHBA-së në atë kohë, por tani mund të shpreh qëndrimet e një amerikani që është demokrat. Dhe do të tmerrohesha po të dënonin Hashim Thaçin.Mendoj se gjykata vetë do t’i bënte një dëm shumë, shumë të madh të drejtës ndërkombëtare, sepse edhe kur kur kishim themeluar Tribunalin për Krime të Luftës në vitin 1993, ideja ishte që të caktohej faji individual, jo të fajësohej bashkërisht njëra palë ose tjetra”, kishte deklaruar diplomati amerikan.

Rubin kishte shprehur bindjen se Thaçi dhe ish-drejtuesit e tjerë të UÇK-së nuk do të dënoheshin.

“Dhe kjo është ajo që po ndodh tani, t’i ngjitet fajësia Hashim Thaçit dhe liderëve të tjerë të UÇK-së për gjëra që s’i kanë ditur dhe për të cilat nuk mund të ishin përgjegjës, do të ishte fajësim kolektiv i shqiptarëve. Kështu do të rrisni dhunën. Duhet të gjeni kryesit dhe t’i dënoni ata. Ky është qëllimi i tribunalit dhe kjo është arsyeja që mendoj se ata nuk do të dënohen”, pati thënë Rubin në Klan Kosova.

Por, një ditë më parë, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e dënuan Hashim Thaçin me 25 vjet burgim. Me burgim u dënuan edhe tre ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi./Klankosova.tv