Como ka vendosur të zgjasë kontratën e sulmueses Roberta Picchi, pasi 34-vjeçarja është diagnostikuar me kancer të gjirit. Klubi italian, i cili këtë sezon do të debutojë në elitën e futbollit të femrave në Itali, njoftoi se ka rinovuar kontratën e Picchit deri në fund të sezonit 2027/28, si pjesë e “angazhimit të vazhdueshëm” për ta mbështetur futbollisten gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Picchi pritet të nisë së shpejti trajtimin dhe do të ketë mbështetjen e stafit mjekësor të Comos, i cili do të bashkëpunojë me specialistët që po ndjekin rastin e saj. “Gjithë familja e Como 1907 është pranë Robertës dhe do t’i ofrojë asaj dhe familjes së saj gjithë mbështetjen e nevojshme gjatë muajve të ardhshëm”, thuhet në komunikatën e klubit.
Në këtë moment, kërkojmë që privatësia e Robertës të respektohet, ndërsa ajo përqendrohet te trajtimi dhe rikuperimi”. Picchi ishte pjesë e skuadrës së Comos që sezonin e kaluar triumfoi në Serie B, duke e mbyllur kampionatin 11 pikë përpara Lumezzanes dhe duke siguruar për herë të parë në histori ngjitjen në elitën e futbollit italian për femra.
Vetë futbollistja ka reaguar me një mesazh emocionues në rrjetet sociale. “Asgjë nuk duhet marrë kurrë si e mirëqenë dhe ndihem me fat”, shkroi Picchi. “Është koha të luaj ndeshjen time, por do të rikthehem edhe më e vendosur”.
Como, e drejtuar nga Selena Mazzantini, do ta nisë sezonin e ri më 26 shtator, kur do të përballet me Milanin.



