Dimri ka dhënë sinjalet e para në veri të vendit, ndonëse jemi ende në shtator. Reshjet e para të borës kanë zbardhur bjeshkët e Tropojës, ndërsa temperaturat kanë shënuar një rënie të ndjeshme.
Gjatë orëve të para të mëngjesit, dëbora ka mbuluar zonën e Makrofçës dhe shpatet malore përreth, duke krijuar një peizazh dimëror në ditët e para të vjeshtës.
Pamjet nga zona janë publikuar në rrjetet sociale nga kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberi, ku shihet shtresa e borës që ka mbuluar pjesë të bjeshkëve.
Përkeqësimi i kushteve atmosferike kërkon kujdes të shtuar edhe nga drejtuesit e automjeteve që udhëtojnë drejt zonave malore, ku temperaturat e ulëta dhe ndryshimet e shpejta të motit mund të vështirësojnë qarkullimin.


