Aeroporti i Ohrit “Shën Apostull Pali” nga sot ka kapacitet të rritur, kushte më të mira për udhëtarët dhe stafin, si dhe një pamje të re.
Në Ditën e Pavarësisë – 8 Shtator, është vënë në përdorim ndërtesa e rikonstruktuar e terminalit, hapësirat e së cilës janë pajisur dhe rregulluar në mënyrë moderne, ndërsa janë dekoruar me replika të mozaikëve dhe afreskeve nga trashëgimia e pasur kulturore e Ohrit.
Me një investim prej 2.7 milionë eurosh, në Aeroportin e Ohrit është modernizuar terminali i udhëtarëve, është rritur numri i sporteleve dhe është zgjeruar hapësira për check-in, janë përmirësuar zonat për kontrollin e sigurisë dhe bagazhin e dorës, është riorganizuar parkingu, si dhe janë instaluar pajisje dhe teknologji moderne për shërbim më të sigurt dhe më efikas të udhëtarëve.
Në ceremoninë me rastin e vënies në përdorim të hapësirave të reja të aeroportit foli zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski, i cili theksoi se rikonstruksioni paraqet një hap të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës aeroportuale. Ai tha se objekti, me pamjen e tij të re, pasqyron lidhjen me Ohrin dhe rajonin.
“Mendoj se nuk ka ditë më të madhe, Dita e Pavarësisë – 8 Shtatori, për të hapur një objekt vërtet të mrekullueshëm. Objekt që me ngjyrën e tij moderne dhe mbresëlënëse pasqyron atë që është më e rëndësishme për Liqenin e Ohrit dhe për të gjithë rajonin e Ohrit”, tha Nikollovski.
Ai rikujtoi se ndërhyrjet e fundit të mëdha në aeroportin e Ohrit janë bërë në vitin 1970, për shkak të së cilës ndërtesa e terminalit dhe hapësirat për nisje dhe mbërritje për dekada kanë funksionuar në kushte të njëjta ose të ngjashme.
Sipas Nikollovskit, rikonstruksioni është pjesë e aktiviteteve më të gjera të Qeverisë për përmirësimin e infrastrukturës në vend, ndërsa rëndësi të veçantë për aeroportin e Ohrit ka edhe ndërtimi i autostradës Ohër–Kërçovë.
“Tashmë pjesa deri te aeroporti është përfunduar dhe nga Ohri në aeroport mund të arrihet përmes autostradës. Arrihet deri te një nyje e bukur, e cila është rregulluar edhe në aspektin hortikulturor”, tha Nikollovski.
Ai pret që pjesa më e vështirë e autostradës të hapet në muajt e ardhshëm, ndërsa e gjithë autostrada të vihet në përdorim gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm. Paralelisht, vazhdojnë aktivitetet edhe në pjesët e tjera, të cilat duhet të mundësojnë lidhje më të mirë me Shkupin dhe me aeroportin e Shkupit.
Nikollovski theksoi se zhvillimi i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore po ecën paralelisht me zhvillimin e aeroporteve, në kuadër të konceptit që Maqedonia të pozicionohet si “Kryqëzim i Ballkanit”.
“Edhe pse Maqedonia nuk ka dalje në det, pikërisht zhvillimi i këtyre dy korridoreve ka rëndësi të madhe për Maqedoninë. Paralelisht me zhvillimin e autostradave dhe hekurudhave, po zhvillohen edhe aeroportet, dhe këtë po e bëjmë”, theksoi ai.
Ministri foli edhe për rritjen e numrit të udhëtarëve. Aeroporti i Shkupit, në periudhën nga janari deri në qershor të këtij viti, ka pasur mbi 240 mijë udhëtarë, ndërsa dy aeroportet e Maqedonisë së bashku pritet që këtë vit të arrijnë në gati katër milionë udhëtarë.
Si pjesë e rikonstruksionit, Nikollovski veçoi edhe mozaikët e vendosur në ndërtesën e terminalit, të cilët janë replika të atyre nga Qyteti i Vjetër i Ohrit, veçanërisht nga Plaoshniku, si dhe replikën e afreskeve nga katedralja “Shën Sofia”.
“Ky aeroport është një muze i vogël që e paraqet rajonin dhe shpresoj se të gjithë ata që do të udhëtojnë nga këtu do të kënaqen”, tha Nikollovski.
Kryeministri Hristijan Mickoski vlerësoi se modernizimi i aeroportit të Ohrit do të kontribuojë në rritjen e numrit të udhëtarëve dhe kompanive ajrore që do ta përdorin atë, duke ndikuar kështu edhe në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.
“Aeroporti i Ohrit është një hallkë e rëndësishme, para së gjithash për zhvillimin e të gjithë rajonit, për zhvillimin e Maqedonisë si shtet, por njëkohësisht edhe për zhvillimin e Ohrit, Strugës dhe komunave të tjera përreth”, tha Mickoski.
Ai theksoi se rritja e trafikut ajror sjell edhe potencial më të madh turistik, gjë që ndikon drejtpërdrejt në ekonomi.
Sipas Mickoskit, rezultatet e aeroportit të Ohrit këtë vit tashmë kanë shënuar rekorde të reja. Ai informoi se është regjistruar një ditë me më shumë se 3.000 udhëtarë, numri më i madh në një ditë në historinë e aeroportit, si dhe një ditë me më shumë se 20 fluturime.
“Kjo është një shifër e rëndësishme, një shifër që është vetëm fillimi. Jam i bindur se në periudhën që vjen, me këto aktivitete ndërtimore dhe me mbështetjen që japim si Qeveri, këto shifra do të dyfishohen, do të trefishohen dhe do të arrijmë në shifra që përfaqësojnë objektivat tanë të rinj”, vlerësoi kryeministri.
Mickoski tha se objektivat e vendosura para më pak se 20 vitesh janë tejkaluar prej kohësh dhe se tani po vendosen objektiva të rinj, të cilët duhet të jenë agjendë e përbashkët e koncesionarit dhe Qeverisë.
Në këtë drejtim, ai paralajmëroi vazhdimin e investimeve në infrastrukturë, me qëllim që Maqedonia ta shfrytëzojë pozitën e saj strategjike dhe të zhvillohet si një kryqëzim i rëndësishëm i trafikut në rajon.
“E di se kemi ende shumë probleme për të zgjidhur, e di se ndoshta ende nuk jetohet ashtu siç dëshirojmë të jetohet, por jam gjithashtu i bindur se me të gjitha këto investime që po i bën Qeveria e Maqedonisë, me të gjitha këto aktivitete që po i ndërmarrim si Qeveri, sot Maqedonia është një vend shumë më i mirë për të jetuar sesa ishte para tre vitesh”, tha Mickoski.
Ai shprehu bindjen se në tre vitet e ardhshme vendi do të shënojë përparim të mëtejshëm, duke theksuar motivimin e Qeverisë dhe mbështetjen e qytetarëve.
Drejtori ekzekutiv i TAV Maqedoni, Serkan Kaptan, theksoi se rikonstruksioni është realizuar pa ndërprerë funksionimin e aeroportit.
Ai informoi se gjatë 16 viteve të fundit TAV ka investuar gati 300 milionë euro në aeroportet e Maqedonisë, ndërsa lidhshmëria dhe vëllimi vjetor i trafikut janë rritur katër herë.
“Në vitin 2026, aeroportet maqedonase janë aeroportet me rritjen më të shpejtë në Evropë, ndërsa deri në gusht kemi shënuar rritje prej gati 30 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, tha Kaptan.
Ai theksoi se aeroporti i Ohrit ka shënuar korrikun më të suksesshëm në historinë e tij, me rekorde të reja në numrin e udhëtarëve dhe shfrytëzimin e kapaciteteve të terminalit, duke shprehur shpresën se Ohri do të zhvillohet si një qendër kryesore e aviacionit në rajon.


